Mbrojtësi i Real Madridit, Raul Asencio, pritet të dalë në gjyq në shtator për një çështje që lidhet me pretendimin për shpërndarjen e një videoje intime ku përfshihet një person i mitur. Futbollisti 23-vjeçar përballet me dy akuza, ndërsa në të njëjtin proces gjyqësor do të përballen edhe tre ish-shokë të tij nga akademia e klubit: Ferran Ruiz, Juan Rodriguez dhe Andres Garcia.
Sipas akuzës, Asencio dyshohet se ka shpërndarë një video intime pa pëlqim, si dhe se ka kërkuar që t’i dërgohej materiali dhe më pas ia ka treguar një personi tjetër. Dy personat e përfshirë si viktima kanë tërhequr ankesat ndaj tij, por gjykata ka vendosur që ky tërheqje duhet të konfirmohet sërish gjatë procesit që të ketë fuqi ligjore. Asencio nuk akuzohet për regjistrimin e materialeve, por vetëm për veprimet e lidhura me shpërndarjen e tyre.
Ruiz, Rodriguez dhe Garcia akuzohen për regjistrimin dhe shpërndarjen e videove intime që përfshijnë një të mitur dhe një grua tjetër. Tre ish-lojtarët e akademisë u arrestuan në shtator të vitit 2023. Asencio u mor fillimisht në pyetje nga policia dhe më pas u përfshi zyrtarisht në hetim.
Avokatët mbrojtës kërkuan që provat e marra nga telefonat e të pandehurve të hiqeshin nga dosja, por gjyqtari refuzoi këtë kërkesë, duke e cilësuar si një përpjekje për të penguar hetimin. Çështja nisi pas një denoncimi të bërë nga nëna e një vajze 16-vjeçare në Ishujt Kanarie; sipas denoncimit, aktiviteti seksual kishte qenë me pëlqim, por regjistrimi dhe shpërndarja e videos nuk kishin qenë të autorizuara.
Në maj të vitit 2025, Asencio publikoi një deklaratë ku mohoi fuqishëm akuzat: “Nuk kam marrë pjesë në asnjë sjellje që shkel lirinë seksuale të ndonjë gruaje, aq më pak të të miturve”. Ai theksoi se prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet dhe se do të vazhdojë të mbrojë pafajësinë e tij përpara gjykatës.
Pavarësisht hetimit, Asencio u kthye në një lojtar të rëndësishëm për ekipin e parë të Real Madridit; ai debutoi me skuadrën e parë në nëntor 2024 dhe deri tani ka zhvilluar rreth 80 paraqitje me klubin madrilen.

