Sinoptikani Elvi Jahaj nga Shërbimi Meteologjik Ushtarak, në një lidhje të drejtpërdrejtë me edicionin e orës 12:00 në Top Channel, bëri parashikimin e motit për fundjavën dhe për javën që vjen. Sipas tij, gjatë të shtunës dhe të dielës vendi do të ndikohen nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, me vranësira mesatare dhe herë‑herë të dendura, ndërsa nuk do të mungojnë edhe alternimet e kthjellimeve. Vranësirat e dendura do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe me intensitet kryesisht të ulët; në periudha afatshkurtra dhe lokalisht reshjet mund të jenë në formën e shtrëngatave dhe të arrijnë deri në intensitet mesatar.
Për javën e ardhshme, Jahaj tha se do të vijojë ndikimi i kushteve të paqëndrueshme, me mot kryesisht të vranët dhe alternime kthjellimesh. Gjatë periudhave me vranësira të dendura priten reshje shiu të herëpashershme, kryesisht me intensitet të ulët, por edhe shtrëngata dhe lokalisht shkarkesa elektrike. Një përmirësim i kushteve atmosferike pritet të nisë që nga dita e mërkurë e javës së ardhshme, kur moti do të paraqitet kryesisht i kthjellët me alternime vranësirash kalimtare.
Në lidhje me temperaturat, mesditat pritet që të ulen për shkak të reshjeve, duke arritur rreth 16–17 gradë Celsius, ndërsa në disa ditë mund të ngjiten sërish deri në 20–21 gradë. Në vlerat minimale të mëngjesit, në zonat malore parashikohen 4–6 gradë Celsius, ndërsa përgjatë ultësirës perëndimore 8–10 gradë Celsius. Priten edhe reshje dëbore, kryesisht në relievet malore në verilindje dhe juglindje, mbi lartësitë 1,000–1,200 metra, me intensitet të ulët.
Për sa i përket erës, ajo do të fryjë kryesisht e lehtë me drejtim verilindje‑juglindje. Për ditët e hënës dhe të martës parashikohet erë relativisht intensive me shpejtësi mesatare deri në 9 m/s, ndërsa herë pas here drejt 18–19 m/s, po me drejtim verilindje‑juglindje.

