Samuel Fedor shpalli fitues të etapës së dytë të Turit të 83 Çiklistik të Shqipërisë, e zhvilluar nga Lezha në Elbasan, me gjatësi 149.9 km. Çiklisti sllovak i skuadrës Dukla Banksa Bystrica triumfoi pas një itinerari sfidues dhe një rivaliteti të fortë që zgjati deri në çastet e fundit të garës. Fedor realizoi një sprint përfundimtar të suksesshëm, duke kaluar i pari vijën e finishit me kohën 3 orë, 6 minuta e 26 sekonda.
Në vendin e dytë të kësaj etape u rendit zvicerani Guillaume Haldimann nga skuadra Humard VP, i cili mbërriti me të njëjtën kohë të regjistruar për etapen, ndërsa podiumin e plotësoi çiklisti belg Lance Decabooter, i pozicionuar i treti. Fituesi i etapës dhe podiumi reflektuan një përballje të ngushtë në pjesët e fundit të rrugës, ku vendimet u morën në sprintin final.
Sa i përket klasifikimit të përgjithshëm pas dy etapave, lider është belgu Kjell Cooman, i cili mban edhe fanelën e verdhë të Turit, me kohën totale 6 orë, 58 minuta e 57 sekonda. Në vendin e dytë ndodhet Iustin Ioan Vaidian, me shtesë prej 7 sekondash nga kreu, ndërsa në vendin e tretë ndodhet Guillaume Haldimann, i cili përveç vendit të dytë në etapë ruan një pozicion të lartë në renditjen e përgjithshme.
Për sa i përket çiklistëve që përfaqësojnë Shqipërinë, pas përfundimit të dy etapave të para më mirë i renditur në klasifikimin e përgjithshëm është Gabriele De Fabritiis, i vendosur në pozicionin e 29-të. Turi i 83 Çiklistik do të vijojë me etapën e tretë, nga Elbasani drejt Vlorës, e cila do të ketë gjatësi 172.4 km. Kjo etapë do të transmetohet drejtpërdrejt në platformën Digital.

