Në vendin ku sot dëgjohet zhurma e makinave, projekti për rikthimin e trenit në Tiranë ka hyrë zyrtarisht në garë pas dekadash heshtjeje. Tenderi për lidhjen e Terminalit të Transportit Publik me Stacionin Qendror të Trenit në Tiranë, me vlerë 15.7 milionë euro, është hapi i radhës për rikthimin e shtrirjes hekurudhore brenda kryeqytetit.
Drejtori i projektit Tiranë-Durrës-Rinas, Bashkim Kasoruho, sqaroi në një intervistë për Top Channel se lokacioni i stacionit është i njëjti si më parë, rreth 100 metra para daljeve mbi bulevardin Zogu i Parë. Ndërtimi i hekurudhës Tiranë–Durrës është ndarë në tri faza, nga të cilat njëra është përfunduar pothuajse plotësisht. Kontrata e parë, nga Tirana në Durrës, është gati 100% përfunduar dhe aktualisht po pastrohet gjithë linja.
Kontrata e dytë, e nënshkruar në 2025, përfshin realizimin e godinave hekurudhore nga Durrësi në Tiranë, duke përfshirë dy ndalesa që lidhin linjën me aeroportin ndërkombëtar të Rinasit. Komponenti i tretë është elektrifikimi hekurudhor; sipas Kasoruhos, procesi është në një pikë të avancuar, me financim 50% kredi dhe 50% grant në bashkëpunim me BERZH. Procesi i prokurimit ndërkombëtar është mbyllur dhe pritet nënshkrimi i kontratës brenda qershorit, me punime që do të zgjasin 18 muaj; elektrifikimi pritet të përfundojë në fund të vitit 2027.
Për sa i përket shpejtësisë, linja është e projektuar për shpejtësi të lartë deri në 250 km/h, por për shkak të gjeometrisë dhe kthesave, shpejtësia maksimale do të jetë 120 km/h dhe në segmentin që hyn brenda Tiranës rreth 70 km/h. Trenat që do të operojnë do të jenë modernë, elektrikë, të pajisur për persona me aftësi të kufizuara, për ata që udhëtojnë me biçikleta, gjithashtu me tualete dhe kondicionerë, sipas standardeve të vendeve të BE-së. Pamja e trenave dhe stacioneve do të jetë moderne, duke nisur nga stacioni i Vorës. Nëse gjithçka shkon sipas afateve, shinat mund të rikthejnë zhurmën e trenit në Tiranë brenda disa vitesh. Source: Top Channel.

