Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, njoftoi se rekomandimet e Këshillit të Evropës për paraburgimin po përdoren drejtpërdrejt si bazë për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale, me fokus te forcimi i garancive për lirinë e personit dhe funksionimi real i alternativave ndaj arrestit në burg. Duke folur në një tryezë kushtuar masave të sigurimit, vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë dhe jurisprudencës së GJEDNJ-së, Gogu theksoi se puna me Këshillin e Evropës po kalon nga rekomandimet te procesi i reformës: “Puna jonë me Këshillin e Evropës nuk mbaron me dokumentin që diskutojmë sot. Rekomandimet e tij po ushqejnë drejtpërdrejt punën që kemi nisur për rishikimin e Kodit të Procedurës Penale”.
Në proces po shqyrtohen kriteret për paraburgimin, arsyetimi i individualizuar i masës, shqyrtimi real i masave më pak kufizuese, aksesit në materialet mbi të cilat mbështetet kërkesa për masë sigurimi, si dhe forcimi i alternativave. Ministri nënvizoi nevojën për balancim: kapaciteti i shtetit për të hetuar dhe ndjekur penalisht duhet të mbetet i fortë, por po aq të forta duhet të jenë edhe garancitë e procesit të rregullt dhe mbrojtja e lirisë së personit.
Si pjesë e këtyre ndryshimeve, Ministria e Drejtësisë po punon për rikthimin e mbikëqyrjes elektronike si instrument që ofron gjykatave mundësi reale për zbatimin e masave alternative. Gogu deklaroi se është siguruar financimi i nevojshëm për vitin 2027 dhe se objektivi është që sistemi i mbikëqyrjes elektronike të jetë operacional në mars 2027. Ai shtoi: “Një alternativë që shteti nuk e ofron realisht, nuk është alternativë. Kjo është përgjegjësi e ekzekutivit, jo e gjykatës”.
Sistemi i mbikëqyrjes parashikohet të mbështetet me personel të trajnuar, protokolle të qarta reagimi dhe raportimi ndaj gjykatës dhe prokurorisë, si dhe me forcimin e kapaciteteve të Shërbimit të Provës. Ministri theksoi gjithashtu kufirin institucional mes ekzekutivit dhe gjyqësorit, duke saktësuar se Ministria e Drejtësisë nuk ka rol në vendimin për masën e sigurimit në një çështje konkrete. Ai përmendi se Gjykata e Lartë ka qartësuar standardin dhe se Ministria po punon për ta mbështetur atë me kuadër ligjor, mbikëqyrje elektronike dhe institucione funksionale që bëjnë alternativat reale dhe të besueshme.

