Refit (Nertil) Buzi, i cili vrau ish-vjehrrin dhe më pas veten, pas kthimit nga Anglia kishte tentuar të rindërtonte jetën duke u marrë me import-eksport të fruta-perimeve. Kundër tij ishte nisur një procedim penal për veprën “Mashtrimi”, dhe është publikuar dëshmia që ai dha në polici më 27.12.2024.
Sipas deklarimit të tij dhe hetimeve, Buzi jetoi rreth 3-4 vjet në Angli dhe u rikthye në Shqipëri në vitin 2024 për të nisur aktivitet si ndërmjetës në sigurimin e tregut për eksportuesit e fruta-perimeve, veprimtari që kryente pa NIPT dhe pa licencë. Ai hyri në bisedime me shtetasit S. H. dhe F. R. për dërgimin e ngarkesave drejt Anglisë tek një kompani me administrator shtetasin turk B. G.
Në dokumentacion rezultojnë dy fatura të fiskalizuara: njëra me datë 23.04.2024, me vlerë deri në 31,872 paund, dhe një tjetër më 28.04.2024, me vlerë 32,177 paund. Autoritetet konstatuan mospërputhje midis deklarimeve të Buzi, S. H. dhe F. R. lidhur me pagesat për këto shuma. Bashkëpunëtorët pretenduan se Buzi mori një pjesë të parave nga kompania e administruar nga turku B. G.; ky pretendim u mbështet në dëshmi indirekte nga persona që kontaktonin këtë shoqëri në Enfield të Anglisë.
Në deklarimin e tij për policinë gjyqësore Buzi shpjegoi se ishte i papunë, jetonte me prindërit dhe se pagesat e transportit u kryen në dorë siç kërkohej nga firma transportuese. Ai pranoi se në fillim nuk kishte licencë dhe veprimet ishin kryer nga firma e S. H., e licensuar, ndërsa marrëveshjet ishin kryesisht gojore. Më vonë Buzi tha se kishte hapur NIPT dhe ishte licensuar, por nuk kishte kryer ende kontrata apo rrugë.
Buzi rrëfeu negociatat me firmën angleze U… me administrator B. G., duke dërguar ngarkesa domatesh (18 ton) dhe se pagesa ishte premtuar brenda 7 ditësh pas mbërritjes së kamionit. Ai deklaroi se kishte marrë në total 13,400 paund nga B. G. por pas ardhjes së ngarkesës klienti kërkoi të paguante shumë më pak (9,200 paund) nga vlera e pretenduar 31,700 paund. Sipas tij, për të njëjtat probleme F. R. kishte nisur padi në Angli kundër B. G. për kërkim të shumave me anë ligjore.

