Nxënësit me origjinë shqiptare në Mudhania të Halkidhikisë përkthyen dhe titruan në greqisht filmin shqiptar “Shoku ynë Tili” (1981), në bashkëpunim me Departamentin e Filologjisë të Universitetit Aristotel të Selanikut, me qëllim të shkrirjes së stereotipeve gjuhësore dhe promovimit të përfshirjes. Iniciativa u zhvillua në kuadër të programit të Zonave të Prioritetit Arsimor (ZEP) të Shkollës Profesionale (EPAL) të Mudhanias dhe synonte të kthente dygjuhësinë dhe identitetin kulturor të nxënësve në një vlerë të ndarë me bashkëmoshatarët grekë.
Nxënësit Xhevair Çela, Andi Topalli, Denis Çupi, Erion Çupi, Amarildo Ndoi, Aleks Tahiri dhe Romeo Osafi, me mbështetjen e mësuesve dhe të profesorëve të AUTH, realizuan përkthimin dhe titrimin. Përzgjedhja e filmit ishte e qëllimshme: personazhi kryesor, Tili, një nxënës që shkakton probleme në klasë, përballohet së pari me dëshirën për largim nga mësuesja e parë, ndërsa mësuesja e re zgjedh ta mbështesë me mirëkuptim. Filmi përçon mesazhe humanizmi, solidariteti dhe përgjegjjeje ndaj fëmijëve që kanë nevojë për mbështetje — vlera që nxënësit e EPAL-it synuan të vinin në pah në shoqëri.
Puna me pamjet, dialogët dhe kontekstin kulturor të filmit ndihmoi në kuptimin e dallimeve kulturore, ndërsa për nxënësit shqiptarë projekti përfaqësoi edhe një rikthim emocional te gjuha amtare, kultura dhe kujtimet e fëmijërisë. Profesori i Gjuhësisë në Universitetin Aristotel, Dhoris Kyriazis, theksoi se përkthimi përbënte një akt ndërmjetësimi kulturor, duke lehtësuar rilidhjen e nxënësve me gjuhën dhe kulturën e tyre dhe duke u dhënë grekëve mundësinë të njohin dhe pranojnë më mirë atë që është ndryshe. Ai vuri në dukje se këta të rinj “kanë dy atdhe, dy gjuhë dhe dy kultura” dhe diskutoi ndikimet e ndërsjella gjuhësore mes greqishtes dhe shqipes si pasojë e bashkëjetesës së përditshme.
Projektin e drejtuan profesora Natalia Efthimiadou, drejtoresha Melpomeni Kalomiri dhe filologia Irini-Maria Tzioga. Pas përfundimit me sukses, EPAL-i i Mudanias dhe Departamenti i Gjuhësisë i AUTH planifikojnë një program pilot për krahasimin e letërsisë shqipe dhe greke në klasat e integrimit. Nisma “Shkrirja e stereotipeve kombëtare dhe gjuhësore në arsimin e mesëm” synon të zhvillojë mendimin kritik dhe respektin për diversitetin përmes letërsisë, kinemasë dhe arteve, duke kërkuar shembuj që promovojnë miqësinë, vëllazërinë dhe respektin për tjetrin. (Top Channel)

