Kreu i qeverisë shpjegon se kur flet për “portalet” nënkupton portalet institucionale, jo ato mediatike, të cilat sot funksionojnë si rafte ku institucioni vendos informacion dhe e lë qytetarin të përpiqet ta gjejë dhe kuptojë vetë. Pasqyra Albania përshkruhet si një kontratë midis qytetarit dhe shtetit: jo thjesht një vend ku publikohet se çfarë tha qeveria sot, por një mjet ku qytetari gjen çfarë po bën qeveria në emrin e tij. Në portal do të ketë informacion për arsyet pse merren vendime të caktuara, do të përcaktohet se kush ka në dorë çështjet që interesojnë qytetarin dhe do të tregohen ligjet apo dokumentet përkatëse me të cilat mund të verifikohet apo konsultohet ajo që po bëhet.
Rama thekson se Pasqyra Albania do të japë ecurinë e proceseve, jo vetëm për proceset individuale por për çdo proces, duke i mundësuar qytetarit referencën ndaj “kantierit përkatës”. Sipas tij, një qytetar sot nuk mund të fajësohet për t’u bërë pre e dezinformimit lidhur me shërbimet e Republikës së Shqipërisë, sepse nuk ka mundësinë të konsultojë burimet zyrtare; për këtë arsye, portali do të jetë vendi ku qytetari mund të informohet vetë për statusin e kërkesave të tij.
Ai shton se qytetarit duhet t’i jepet mundësia të gjejë dokumente, jo biseda të përgjithshme, dhe procesverbale, jo komunikata për shtyp, për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodh realisht. Kjo, sipas tij, ndryshon rëndësisht pozicionin e qytetarit duke e nxjerrë nga roli i kërkuesit në një “xhungël” informacioni dhe duke e kthyer në një mbikëqyrës me kapacitet të plotë. Në Pasqyra qytetari do të gjejë bazën faktike dhe dokumentare: shifrat, provat, procesverbalet, mendimet e ekspertëve, arsyet e vonesave dhe emrat e personave përgjegjës për problemet, të gjitha në “dritën e diellit”. Top Channel.

