Kryeministri Edi Rama ka nisur mbledhjen me kabinetin e tij dhe grupin parlamentar të Partisë Socialiste, ku prezantoi disa nga prioritetet dhe sfidat me të cilat përballet qeverisja. Në fjalën e tij ai identifikoi “tre plagë që ushqejnë njëra‑tjetrën” si çështjet kryesore që duhet adresuar.
E para, sipas tij, është “shteti labirint” — një strukturë që ndërlikon funksionimin dhe administrimin publik. E dyta është mungesa e memories institucionale: premtohet dhe flitet, por nuk mbahet një regjistër i plotë i llogarive të shkruara për atë që u bëmë, për atë që nuk u bëmë, për atë që u vonua apo ndryshoi rrugës. Rama theksoi se mungesa e memories i kushton rëndë si shtetit, ashtu edhe qytetarit.
E treta ai e përshkroi si “plagën e dritës që nuk duket”, që shfaqet në perceptimin e përgjithshëm se për shumë shërbime dhe vende pune njohja dhe fati shpesh vlejnë më shumë se merita dhe ligji. Sipas tij, kjo ndjenjë është e drejtë për shumë qytetarë që përballen me praktika ku njohjet zënë vendin e kriterit dhe ligjit.
Për t’u përballur me këto problematika Rama prezantoi disa mekanizma që i përmendi me emra: “Pasqyrë Albania”, “Besa” dhe “Shkalla e Meritës”. Ai i përshkroi këto si pjesë të pandashme të përpjekjes për t’i dhënë përgjigje pyetjeve dhe për të kuruar plagët që evidentoi. Pasqyrë Albania, siç tha, është një hapësirë e re ku qeveria do të jetë e pranishme, por që do të ketë vend për të qenë gjithashtu edhe dy pushtete të tjera, legjislativ dhe gjyqësor; megjithatë vendimmarrja mbetet e tyre.
Gjatë fjalimit Rama vuri theksin te nevoja për regjistrim të saktë të veprimeve dhe vendimeve, si dhe te rëndësia e instrumenteve të propozuara për të rritur transparencën, llogaridhënien dhe meritokracinë në funksionimin e shtetit.

