Franca shfaqi forcën ushtarake dhe unitetin me aleatët gjatë paradës së Ditës së Bastijës në Paris, ku i ftuar nderi ishte presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Në një kohë kur Europa po përshpejton përpjekjet për forcimin e mbrojtjes përballë luftës së Rusisë në Ukrainë, ngjarja u karakterizua nga një prani ushtarake rekord: 6.700 trupa, 98 avionë, 31 helikopterë dhe 315 mjete ushtarake që marshuan nga Harku i Triumfit deri në Place de la Concorde.
Në paradë ishte i pranishëm edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama; në bulevardin Champs-Élysées u valëvit flamuri shqiptar dhe kreu i qeverisë ndau pamje të paradës në rrjetet sociale. Parada, që përkujton sulmin ndaj burgut të Bastijës gjatë Revolucionit Francez, u zhvillua një ditë pas një samiti të aleatëve të Ukrainës të organizuar nga presidenti Emmanuel Macron, ku po ashtu mori pjesë kryeministri Rama.
Presidenti Macron deklaroi se Europa duhet të jetë e gatshme të mbrojë lirinë dhe shtetin e së drejtës, edhe nëse kjo do të kërkonte sakrifica të mëdha. Ai shprehu mbështetjen për idenë e një Bashkimi Evropian më të fortë ushtarakisht dhe më pak të varur nga Shtetet e Bashkuara.
Kjo ishte parada e fundit e Ditës së Bastijës për Macronin, i cili do të largohet nga posti vitin e ardhshëm pas dy mandateve presidenciale. Ceremonia pati edhe një dimension përkujtimor, duke shënuar 10-vjetorin e sulmit terrorist në Nicë gjatë festimeve të Ditës së Bastijës, ngjarje ku humbën jetën 86 persona dhe u plagosën mbi 400 të tjerë.
Ngjarja shërbeu si shfaqje e kapaciteteve ushtarake franceze dhe e bashkëpunimit me aleatët në kontekstin e tensioneve me Rusinë dhe përpjekjeve të përbashkëta për të forcuar mbrojtjen europiane. (Top Channel)

