Qeveria miratoi ndryshime ligjore që zgjerojnë kompetencat e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) për mbledhjen e informacionit në funksion të sigurisë kombëtare. Sipas draftit të publikuar, SHISH do të mbledhë të dhëna për kërcënimet që vijnë nga aktiviteti i shërbimeve të inteligjencës së huaj, në të gjitha format e shfaqjes, si dhe për terrorizmin dhe ekstremizmin, krimet kundër mjedisit, prodhimin dhe përhapjen e armëve të dëmtimit në masë, si dhe për stabilitetin e brendshëm dhe atë rajonal. Në mënyrë të veçantë, pas nënndarjes së tretë shtohen dy nënndarje që i ngarkojnë SHISH-it mbledhjen e informacionit për kërcënimet ndaj sigurisë ekonomike, kërcënimet kibernetike dhe kërcënimet hibride, si dhe për kërcënimet ndaj infrastrukturës kritike dhe të rëndësishme të Republikës së Shqipërisë.
Titulli i ligjit ndryshohet dhe zëvendësohet me “Për Shërbimin Informativ të Shtetit”. Neni 3 ripërkufizon fushën e veprimit: SHISH do të mbledhë informacion brenda dhe jashtë vendit në funksion të sigurisë kombëtare, sigurisë kolektive dhe sfidave globale, duke përfshirë veprimtaritë kundërzbulimi për ruajtjen e integritetit, pavarësisë dhe rendit kushtetues. Ndryshimet zgjerojnë edhe listën e kërcënimeve objekt të monitorimit, duke shtuar qëndrueshmërisht dimensionet e sigurisë ekonomike, kibernetike, hibride dhe të infrastrukturës kritike.
Po ashtu, ndryshohet trajtimi financiar i drejtuesve të SHISH. Deri tani paga e drejtorit ishte e njejtë me atë të ministrit dhe e nëndrejtorit me atë të zv.ministrit. Me propozimet e miratuara, paga e drejtorit dhe të zëvendësdrejtorit do të përbëhet nga pagë bazë, shtesë për vjetërsi dhe shtesë për natyrë të veçantë pune, dhe trajtimi financiar i tyre do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave. Ata gjithashtu përfitojnë trajtim sipas legjislacionit për pensionet shtetërore suplementare për funksionet kushtetuese dhe punonjësit e shtetit.
Në fund të nenit 13 shtohet paragrafi që i garanton SHISH-it të drejtën e aksesit në bazat e të dhënave shtetërore, i kufizuar sipas funksionit ligjor dhe të rregulluar me marrëveshje ndërinstitucionale. Përmbajtja e ndryshimeve ishte e përfshirë në draftin e publikuar nga qeveria.

