Vladimir Putin mund të vizitojë sërish Shtetet e Bashkuara gjatë presidencës së Donald Trump, këtë herë për të marrë pjesë në samitin e G20 që pritet të mbahet në Florida në mesin e dhjetorit, pas takimit të vitit të kaluar në Anchorage të Alaskës ku Trump e ftoi për të diskutuar një plan paqeje për Ukrainën. Sipas dy personave në dijeni të situatës, ende nuk ka një vendim përfundimtar, por Shtëpia e Bardhë po punon për të siguruar pjesëmarrjen e presidentit rus dhe po informon edhe palën kineze. Trump nuk e ka konfirmuar publikisht ftesën; i pyetur së fundmi për mundësinë e pjesëmarrjes së Putinit në samit ai tha: “Nuk e kam menduar ende.”
Rikthimi i Putinit në tryezën e G20 do të kishte rëndësi simbolike për Moskën, pasi do të dobësonte izolimin ndërkombëtar të Rusisë pas aneksimit të Krimesë dhe pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës. Megjithatë, pritet që pjesëmarrja e tij të shkaktojë reagime të forta nga vendet evropiane të G20, si dhe nga Kanadaja, Japonia, Australia dhe Koreja e Jugut, të cilat do ta konsideronin një provokim nëse ai rikthehet pa bërë asnjë lëshim për Ukrainën.
Si shenjë se skenari po merret seriozisht, administrata amerikane ftoi pak ditë më parë në Asheville të Karolinës së Veriut ministrin rus të Financave, Anton Siluanov, në takimin e ministrave të Financave të G20—një akt që, sipas raportimeve, ishte hera e parë që një G20 i drejtuar nga një demokraci perëndimore rikthente një delegacion rus dhe që zemëroi ministrat evropianë. Sipas ekspertëve, Trumpi ka interes të përmirësojë marrëdhëniet me Moskën, veçanërisht si pjesë e strategjisë së tij për të ushtruar presion maksimal ekonomik ndaj Iranit.
Rusia shihet si furnizuesi kryesor i Iranit me armë dhe produkte ushqimore, dhe Shtëpia e Bardhë po përpiqet ta bindë Kremlinin të kufizojë mbështetjen për Teheranin. Për këtë çështje, edhe drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, besohet se diskutoi me homologët rusë gjatë vizitës së tij të papritur në Moskë në fund të gushtit.

