Top Channel ka siguruar pamje nga brenda Postës Shqiptare në Durrës, ku abuzimi me fondet çoi në arrestimin e ish-drejtoreshës së filialit, Elisabeta Mataj, ndërsa ish-shefja e financave, Valbona Duni, dhe ish-arkëtarja Paola Dana u la në arrest shtëpie. Në materialet e siguruara, shihet momenti kur Valbona Duni futet në arkën e filialit, merr një shumë parash, i vendos në një thes dhe largohet. Pamjet tregojnë gjithashtu Dunin me letra në dorë duke biseduar me Paola Danën.
Prokuroria, pas kallëzimit të Postës Shqiptare, akuzon Mataj, Duni dhe P. Dana për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim. Masa e sigurisë “arrest në shtëpi” për ish-shefen e Financës duket se ka hapur një tjetër front hetimor. Dy ditë pas vendimit të gjykatës, bashkëshorti i Elisabeta Matajit, Feta Mataj, depozitoi një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, duke ngritur akuza kundër Valbona Dunit dhe kërkuar hetim të saj.
Në kallëzimin e bërë më 20 korrik, Feta Mataj pretendohet se Elisabeta Mataj është bërë përgjegjëse pa të drejtë për skandalin financiar dhe se duhet hetuar edhe Duni. Ai thotë se verifikimet private krijuan dyshime për një pasuri të konsiderueshme të ish-shefes së Financës, e cila, sipas tij, nuk justifikohet me të ardhurat e deklaruara (një rrogë mujore 60 mijë lekëshe). Ai kërkon hetimin e burimit të pasurisë dhe të aktivitetit ekonomik të familjarëve të saj.
Sipas kallëzimit, Duni dhe dy fëmijët e saj disponojnë automjete luksoze të prodhuara së fundmi, disa apartamente në Durrës dhe Tiranë dhe biznese të hapura vitet e fundit. Kallëzuesi ngre dyshime se këto biznese mund të jenë përdorur për të justifikuar të ardhura të paligjshme, duke përmendur mundësinë e veprës penale të pastrimit të parave. Ai shton se pasuria e familjes Duni është shtuar ndjeshëm pas vitit 2020, periudhë që përkon me administrimin e fondeve të rindërtimit pas tërmetit nga Posta, dhe kërkon verifikim të kësaj periudhe.
Feta Mataj gjithashtu thotë se bashkëshortja e tij i kishte raportuar më parë problematikat në sektorin e financës dhe shqetësimet që nuk ishin marrë në konsideratë nga drejtuesit. Policia e Durrësit njofton se kallëzimi do t’i kalojë Prokurorisë, e cila pritet të vlerësojë pretendimet dhe të vendosë nëse do të regjistrojë procedim penal dhe të nisë verifikimet.

