Inspektori i Përgjithshëm, Dashnor Sula, para takimit me trupat inspektuese të qarkut të Gjirokastrës, bëri thirrje për rritjen e vëmendjes dhe forcimin e masave institucionale gjatë sezonit turistik për të garantuar sigurinë ushqimore, mbrojtjen e konsumatorit dhe respektimin e standardeve ligjore. Duke cilësuar Gjirokastrën si destinacion elitar turistik, Sula vuri theksin te nevoja për përgjegjësi më të larta institucionale, bashkëpunim ndërmjet strukturave dhe kontrolle të orientuara drejt parandalimit të rreziqeve, për shkak të rritjes së fluksit të vizitorëve.
Kontrollet do t’i kushtohen veçanërisht pikave doganore për hyrjen dhe tregtimin e kafshëve të gjalla, duke përfshirë gjedhët dhe bagëtitë e imta, si dhe procesit të prodhimit dhe tregtimit të qumështit dhe nënprodukteve të tij. U theksua zbatimi i standardeve të kategorizimit në përputhje me udhëzimet dhe praktikat e Bashkimit Evropian. Përveç sigurisë ushqimore, prioritet u vendos edhe forcimi i masave për mbrojtjen nga zjarri, duke marrë parasysh vlerat historike dhe kulturore të qytetit, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Sula kërkoi respektim rigoroz të standardeve të sigurisë nga zjarri në subjektet tregtare, strukturat akomoduese dhe objektet me interes turistik, si dhe bashkërendim të vazhdueshëm me strukturat e emergjencave civile dhe pushtetin vendor për parandalimin e rreziqeve dhe mbrojtjen e pasurisë historike e kulturore.
Ruajtja e mjedisit u trajtua si element thelbësor për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore; subjekte tregtare dhe turistike u nxitën të respektojnë standardet mjedisore në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit në rajon. Në fillim të procesit të modernizimit të veprimtarisë inspektuese, nën kujdesin e Kryeministrit, parashikohet pajisja e të gjithë inspektorëve brenda tetë muajve me kamera trupore inteligjente të integruara me inteligjencën artificiale për dokumentimin dhe monitorimin e inspektimeve në terren. Përdorimi i kësaj teknologjie synon rritjen e transparencës, forcimin e përgjegjshmërisë së trupave inspektuese, parandalimin dhe evidentimin e abuzimeve, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe rritjen e cilësisë dhe efektivitetit të kontrolleve. Digjitalizimi i sistemit të inspektimeve do të mundësojë standardizimin e procedurave, gjurmueshmërinë e veprimeve inspektuese dhe komunikimin më të shpejtë ndërmjet institucioneve, qytetarëve dhe bizneseve.

