Në kryeqytet u zhvillua dita e 23-të e protestës jopartiake. Qytetarët u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej” dhe marshuan drejt Kryeministrisë, ku u mbajtën fjalime. Pas tubimit para ndërtesës së qeverisë protestuesit nisën të marshonin në rrugët e Tiranës, duke rrethuar Bashkinë dhe duke vijuar në zona të tjera të qytetit.
Gjatë tubimit protestuesit paraqitën pesë kërkesa ndaj qeverisë, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit dhe krijimin e një qeverie teknike 12-mujore. Ata kërkuan gjithashtu ndryshime kushtetuese dhe zgjedhore dhe shfuqizimin e disa ligjeve dhe paketave që, sipas tyre, cenojnë interesin publik. Protestuesit njoftuan një tjetër tubim për nesër në orën 10:00 para Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, duke ftuar sindikatat t’u bashkohen.
Gjatë fjalimeve ata iu drejtuan edhe ambasadorit Eric Wendt, duke theksuar se janë “popull proamerikan” dhe shprehën se kanë nevojë për aleatët e tyre.
Kërkesat e paraqitura në tubim janë si më poshtë:
1) Dorëheqja e panegociueshme e kryeministrit dhe e qeverisë.
2) Krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.
3) Ndryshime Kushtetuese për të siguruar barazinë e të gjithë shtetasve shqiptarë para ligjit dhe miratimin e këtyre ndryshimeve me referendum popullor. Në këtë pikë përmenden, ndër të tjera, ndryshimi i Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme, si dhe kufizimi i ushtrimit të funksionit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate, të plota ose të pjesshme, gjatë gjithë jetës politike të një individi.
4) Anulimi i ndryshimeve të bëra në ligjin për “Zonat e Mbrojtura”; anulimi i ndryshimeve në ligjin për “Trashëgiminë kulturore”; shfuqizimi i paketës ligjore të njohur si “Paketa e Maleve”; dhe shfuqizimi i statusit dhe të kuadrit ligjor për “Investimet Strategjike”.
5) Hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë, të propozuar nga sheshi i protestës.

