Protestat dhe investimi që pritet të zhvillohet në Zvërnec ishin temat kryesore të emisionit “Top Story” me Grida Dumën. Në diskutim u përmendën transparenca e procesit të investimit, qendrimet e ndryshme të Europës për Parqet Kombëtare dhe një foto e Vlorës së vitit 1914, të shfaqur në studio nga gazetari Dritan Shakohoxha.
Ekspertja e ekonomisë Zana Guxholli shprehu mbështetje për investimet, por kërkoi më shumë transparencë nga qeveria dhe theksoi nevojën për një ekuilibër mes mbrojtjes së natyrës dhe zhvillimit. Ajo kujtoi se kur ka qenë në qeveri me PD “na kanë masakruar ambientalistët për hidrocentralet në lumenj”, tha se është impresionuar nga shembuj të hidrocentraleve si ai i Niagarës dhe përsëriti se “qeveria duhet të jetë transparente dhe të tregojë detajet”, duke shtuar se mendoj se duhet zhvillim. Guxholli gjithashtu vuri në dukje që “Europa i ka prekur të gjithë parqet dhe vjen këtu e kërkon t’i ruajmë.”
Dritan Shakohoxha solli foton e Vlorës së vitit 1914 dhe pyeti nëse Vlora e asaj kohe do të kishte tërhequr ndonjë investitor apo zhvillim turistik në mënyrën e sotme. Ai theksoi se ambientalistët duhet të jenë pjesë e tavolinës së vendimmarrjes dhe argumentoi se njerëzit duhet të kenë kushte maksimale për të investuar, si shqiptarë ashtu edhe të huaj. Shakohoxha vuri në dukje se “investitorët nuk janë armiqtë e Shqipërisë, janë aleatë” dhe se vendit i duhet guxim për tër tërhequr investime.
Aktivistja mjedisore Besiana Lumi kërkoi zbatimin rigoroz të rregullave të vendosura nga Bashkimi Europian për ndërtimet në zonat e shpallura Park Kombëtar. Lumi përmendi përvojën e saj në mbrojtjen e Vjosës, rastin e Greqisë ku ka një hidrocentral në burimin e Vjosës, dhe shembullin e Thethit ku ndërtimet ishin pa leje. Ajo nënvizoi se në Zvërnec ekziston një zonë e mbrojtur dhe se nuk është publikuar një vlerësim i ndikimit në mjedis.

