Kam kënaqësinë të jem sot mes jush në këtë përvjetor jubilar që shënon një shekull nga krijimi i Prefekturës së Tiranës, një institucion që ka shoqëruar dhe dëshmuar rritjen e shtetit shqiptar në epoka të ndryshme të historisë moderne. Njëqind vjet historie për një institucion do të thotë një shekull përgjegjshmërie, përkushtimi, sfidash dhe transformimesh. Ky rrugëtim përfshin periudhën nga vendosja e themeleve të administratës shtetërore, përmes kohërave të trazuara, e deri te konsolidimi i vlerave demokratike dhe rruga drejt integrimit europian.
Krijimi i Prefekturës së Tiranës në vitin 1926 u shoqërua me një vullnet kombëtar për modernizimin dhe forcimin e autoritetit të ligjit. Që atëherë, institucioni ka shërbyer si një urë lidhëse midis qeverisjes qendrore dhe komuniteteve vendore, duke garantuar stabilitet, rend dhe zhvillim. Nëse Tirana e vitit 1926 ishte një kryeqytet i ri me mundësi modeste, Tirana e sotme përshkruhet si zemra politike, ekonomike dhe kulturore e kombit, një metropol dinamik që reflekton transformimet dhe aspiratat e Shqipërisë në shekullin XXI.
Prefektura ka qenë pranë qytetarëve si në ditë zhvillimi e prosperiteti, ashtu edhe në momentet e vështira të krizave dhe fatkeqësive natyrore, duke dëshmuar seriozitetin dhe vazhdimësinë e shtetit. Përvjetoret e tilla konsiderohen rast për të nderuar kujtimin dhe kontributin e prefektëve, nëpunësve dhe punonjësve të administratës, të cilët, me profesionalizëm dhe integritet, ndërtuan traditën shtet-formuese.
Ky jubile është gjithashtu një thirrje për t’u kthyer drejt së ardhmes me përgjegjësi. Aktiviteti zhvillohet në një moment kur qytetarët shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore; e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është e mbrojtur nga Kushtetuta dhe duhet të ushtrohet në përputhje me ligjin. Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm mbështeten në angazhimin e qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë, përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë.
Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore, dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar, të ardhmes evropiane dhe vlerave Euroatlantike. Ai kërkon më shumë përkushtim nga administrata publike dhe nga njerëzit e shërbimit publik për të rritur cilësinë dhe besimin. Gëzuar 100-vjetorin e Prefekturës së Tiranës.

