Prefekti i Qarkut të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, zhvilloi një takim me zjarrfikësit, ku theksoi nevojën për gatishmëri të shtuar gjatë ditëve të nxehta e të thata të verës. Ai paralajmëroi se ligji do të veprojë ndaj kujtdo që rrezikon jetën e qytetarëve dhe pronat publike e private.
Në një apel drejtuar qytetarëve, Hajdari vuri në dukje rrezikun e lartë nga zjarret për shkak të temperaturave ekstreme dhe paralajmëroi se çdo pakujdesi mund të shkaktojë pasoja të rënda për njerëzit, pyjet, kullotat, pronën dhe mjedisin. Ai shprehu mirënjohje për strukturat që janë në krye të detyrës: shërbimet e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, Forcat e Armatosura, Policinë e Shtetit, aviacionin, Administratën e Zonave të Mbrojtura, strukturat e emergjencave civile të bashkive, drejtoritë e shërbimit pyjor dhe vullnetarët pranë njësive administrative. Falë profesionalizmit dhe gatishmërisë së tyre, sipas tij janë parandaluar dhe përballuar me sukses shumë vatra zjarri, përfshirë edhe zjarrin pas faqes së malit të Dajtit.
Prefekti paralajmëroi se beteja nuk ka përfunduar dhe kërkoi angazhim edhe më të madh nga institucionet, me disiplinë, koordinim dhe përkushtim, që çdo vatër zjarri të parandalohet ose neutralizohet që në momentet e para.
Ai iu drejtua direkt qytetarëve me thirrjen që të mos digjin barin e thatë, mbeturinat apo mbetjet bujqësore; të tregojnë kujdes maksimal me bombolat e gazit dhe zjarret në ambiente të hapura; dhe të mos hedhin bishta cigaresh në natyrë ose përgjatë rrugëve, pasi një çast pakujdesie mund të shkaktojë pasoja të rënda.
Hajdari kërkoi gjithashtu nga Policia e Shtetit intensifikimin e kontrolleve për identifikimin, ndalimin dhe vënien para drejtësisë të çdo personi që me dashje ose nga pakujdesia shkakton zjarre, duke rikujtuar që ligji do të zbatohet me gjithë forcën. Ai përfundoi duke theksuar se mbrojtja e natyrës dhe e pyjeve është mbrojtje e jetës dhe e së ardhmes së fëmijëve, dhe bëri thirrje për përgjegjësi qytetare, bashkim dhe vigjilencë për të mbrojtur Qarkun e Tiranës nga zjarret.

