KF Bylis përfundoi Kampionatin e Kategorisë Superiore në vendin e 9-të dhe zbret në Kategorinë e Parë, ndërsa skuadra e dytë e klubit, KF Bylis B, fitoi ndeshjet e play-off të Kategorisë së Dytë. Sipas Nenit 24.7 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, pjesëmarrja e dy ekipeve nga i njëjti klub në të njëjtën kategori nuk lejohet. Neni 24.8 specifikon se në rast se ekipi “A” zbret në kategorinë ku ndodhet ekipi “B”, ekipi “B” zbret automatikisht një kategori më poshtë.
Për pasojë, pavarësisht rezultateve sportive të arritura nga KF Bylis B, ky ekip nuk mund të marrë pjesë në Kategorinë e Parë dhe do të rikthehet në Kategorinë e Dytë për sezonin sportiv 2026/27. Rregulloret parashikojnë pasojën për KF Bylis B, por nuk përcaktojnë mënyrën e plotësimit të vendit vakant në Kategorinë e Parë në një situatë të tillë. Sipas Nenit 41 të Statutit të FSHF, çështja kalon për shqyrtim te Komiteti Ekzekutiv i Federatës.
Pas propozimeve nga Komisioni i Ligave dhe Garave dhe Komisioni Ligjor, Komiteti Ekzekutiv vendosi zhvillimin e një ndeshjeje të vetme play-off ndërmjet KF Kukësi dhe KF Butrinti, në territor asnjanës, për të përcaktuar ekipin që do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë në sezonin sportiv 2026/27. Kjo ndeshje shërben për të zgjidhur mbushjen e vendit vakant që lindi pas zbritjes së KF Bylis.
Detajet mbi datën, orarin dhe stadiumin e zhvillimit të ndeshjes play-off do të bëhen publike më vonë nga Departamenti i Garave i FSHF. Burimi: Top Channel.

