Në një video të publikuar në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka zbardhur pjesë nga takimi i djeshëm mbi ecurinë e nismës “Prania Besnike”, një proces që zhvillohet çdo të premte në orën 17:00 në gjithë vendin. Gjatë takimit, përfaqësues të qeverisë dhe deputetë raportuan mbi ecurinë e procesit, numrin e ankesave, problematikat në qarqe të ndryshme dhe mënyrën si po përcillen çështjet pranë institucioneve përgjegjëse.
Sipas raportimeve, numri i dëgjesave është rritur nga 80 në javën e parë në 149 në javën e dytë, ndërsa në total janë evidentuar qindra ankesa, kryesisht individuale. Drejtuesit theksuan nevojën për t’u dhënë përparësi rasteve që kërkojnë zgjidhje konkrete. U raportua se sistemi i përcjelljes së ankesave është funksional dhe komunikimet elektronike janë dërguar pranë institucioneve përkatëse, ndërsa u theksua nevoja për kategorizimin e problematikave të ngjashme dhe përcaktimin e prioriteteve për trajtimin e tyre.
Raporte dhe shifra nga drejtuesit:
– Blendi Klosi: në javën e dytë dëgjesat janë rritur mbi 50%, nga 80 në 149.
– Niko Peleshi: për Bashkinë Korçë nga 263 në total ka 118 raste; 45% lidhen me territorin e Bashkisë Korçë; 85 raste nga Pogradevi dhe 57 nga Kolonja.
– Taulant Balla: në Kamëz është përmbyllur procesi i rindërtimit me 1,200 përfitues.
– Belinda Balluku: ankesat në total janë 431; ka vendosur qëllim për të rritur numrin e ankesave të zgjidhura javën e ardhshme.
– Ulsi Manja: 38 ankesa në javën e dytë; 100% e rasteve të të dyja të premteve janë referuar për zgjidhje nga deputetët.
– Ogerta Manastirliu: janë takuar mbi 1,200 pjesëmarrës; pjesëmarrja po rritet për çështjet individuale dhe komunitare.
– Enea Karakaçi: në dy javë janë mbajtur 172 ankesa, shumica individuale.
– Bledi Çuçi: në Vlorë kanë mbërritur 179 ankesa; e-mailet nga deputetët duhet të kenë prioritet maksimal.
– Arbjan Mazniku: sistemi është plotësisht funksional; të gjitha e-mailet janë dërguar, 31 kanë marrë përgjigje.
– Mirela Kumbaro: propozim për bashkim dhe kategorizim të problematikave të njëjta me prioritet.
– Ervin Demo: dy-tre javët e ardhshme janë kritike për konsolidim.
Në përfundim, Rama thekoi se qëllimi i nismës nuk është thjesht mbledhja dhe përcjellja e ankesave, por vijimi i procesit sipas objektivave dhe planeve për të bërë mekanizmin sa më efikas.

