Ka përfunduar me sukses një ndërhyrje jashtëzakonisht komplekse kirurgjikale në një spital pediatrik në St. Louis, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku mjekët ia dolën të ndajnë dy binjake 2-vjeçare të bashkuara në kokë. Vajzat, Hiyab dhe Wuhbto, kishin lindur në Etiopi dhe ishin të bashkuara në pjesën e kafkës.
Mediat e huaja raportojnë se operacioni zgjati më shumë se 24 orë dhe në të morën pjesë mbi 60 profesionistë të fushave të ndryshme, përfshirë neurokirurgë pediatrikë, kirurgë plastikë dhe specialistë të kujdesit intensiv. Sipas këtyre raporteve, procedura konsiderohet një nga ndërhyrjet më të rralla dhe më të ndërlikuara në kirurgjinë pediatrike.
Pas operacionit, dy motrat po rikuperohen dhe po marrin kujdes intensiv dhe rehabilitim. Njëra prej tyre, Wuhbto, ka kryer tashmë me sukses një ndërhyrje për rindërtimin e kafkës, ndërsa Hiyab pritet t’i nënshtrohet të njëjtës procedurë më vonë gjatë vjeshtës. Të dyja ndodhen nën vëzhgimin e ekipeve mjekësore për fazën e pasoperimit dhe rehabilitimit.
Binjaket kishin mbërritur në Shtetet e Bashkuara nga Etiopia në vitin 2025, pak para se të mbushnin një vjeç. Sipas spitalit, binjakët e bashkuar në kokë janë një fenomen jashtëzakonisht i rrallë, që ndodh afërsisht një herë në 2.5 milionë lindje. Lajmi është raportuar edhe nga revista People dhe media të tjera ndërkombëtare.

