Shqipëria do të përfitojë një tjetër fond nga Bashkimi Evropian në kuadër të Planit të Rritjes. Bëhet fjalë për një pako prej rreth 200 milionë eurosh, që BE-ja do të shpërndajë ditët në vijim për Shqipërinë dhe Malin e Zi. Të dy vendet përmenden si ato që kryesojnë procesin e anëtarësimit dhe synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.
Lajmin e bëri të ditur komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, para takimit në Bruksel mes ministrave të Jashtëm të 27 vendeve anëtare të unionit dhe homologëve të tyre në gjashtë vendet e rajonit. Ajo theksoi se zgjerimi mbetet prioritet për Bashkimin Evropian dhe qëndrimin e saj ndaj vendeve kandidate: “Kam një mesazh shumë të qartë: ka një vend për të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian. Zgjerimi është përparësi për Bashkimin Evropian dhe nëse kandidatët tanë arrijnë rezultate, atëherë edhe ne duhet të përmbushim detyrat tona. Në planin e rritjes, zbatimi po ecën mirë dhe ditët në vijim do të shpërndajmë rreth 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë.”
Plani i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor është vlerësuar në 6 miliardë euro. Ky plan synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të nevojshme dhe kryerjen e investimeve që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të unionit me gjashtë vendet e rajonit. Fondet dhe investimet në kuadër të këtij plani synohen të mbështesin përpjekjet e vendeve kandidate drejt anëtarësimit, nëse kriteret dhe rezultatet vendase për reformë plotësohen.
Në të njëjtën kohë, Komisioni Europian ka ngrirë fondet për Serbinë për shkak të ligjeve kontestuese për drejtësinë. Komisionerja Kos deklaroi nga Brukseli se Serbia nuk ka marrë fonde evropiane që nga miratimi i ligjeve për drejtësinë, duke nënvizuar kushtëzimet e lidhura me ecurinë e reformave dhe përmbushjen e detyrimeve nga ana e vendeve kandidate.

