Media greke, sipas burimeve policore, ka zbardhur precedentët penalë të 42-vjeçarit Alesio Xhelo, i cili u plagos në kokë gjatë një përplasjeje me policinë greke në Pire, Pireu. Sipas korrespondentit të Top Channel në Greqi, ai ka nisur të ketë probleme me ligjin që në moshën 11-vjeçare, kur hyri ilegalisht për herë të parë në vend.
Në dhjetor 1995 u arrestua për herë të parë nga Departamenti i të Miturve për shkelje të rregullave për hyrje, qëndrim, punë dhe procedura të refugjatëve. Në 1996 u arrestua dy herë përsëri nga i njëjti departament. Në korrik 1997 policia e Paleo Faliros ngriti padi për grabitje. Në 1998, si i mitur, u dënua nga Gjykata e të Miturve me Tre Anëtarë për grabitje së bashku me dy persona të tjerë, për armëmbajtje dhe përdorim të armës. Në mars 1999 Departamenti i Mbrojtjes së të Miturve ngriti padi për vjedhje.
Në maj 2000 u akuzua përsëri si i mitur për vjedhje. Në 2002 u arrestua në Zografos për shkelje të ligjit të shpërndarjes së drogës dhe u akuzua për tentativë vjedhjeje në Neos Kosmos. Në maj 2002 hyri në burg për herë të parë pasi u dënua nga Gjykata e të Miturve të Athinës për vjedhje; një muaj më vonë u dënua përsëri për grabitje.
Në mars 2003 u identifikua nga një grua si pjesë e një grupi prej tre personash që e detyruan të hipte në makinë, e çuan në një shtëpi të braktisur në Aspropyrgos, e përdhunuan vazhdimisht dhe e braktisën më pas, duke e kërcënuar të mos denonconte ngjarjen. Në 2004 u akuzua për vjedhje në zonën e Sintagmës. Në 2006 u akuzua për pjesëmarrje në bandë grabitësish dhe u dënua nga Gjykata e Apelit për vjedhje. Në 2007 u akuzua për vjedhje në Kaisariani.
Në 2009 u akuzua për hyrje të paligjshme në vend. Në 2012, gjatë një tentativë vjedhjeje makine në Kaisariani, ai qëlloi dhe vrau një nga dy vëllezërit që u përpoqën ta ndalojnë vjedhjen. Në 2013 u akuzua për tentativë vrasjeje, vjedhje dhe grabitje; anëtarët e grupit thuhej se ishin të armatosur me kallashnikovë, granata dhe pistoleta. Në 2015 u arrestua në Francë për një urdhër arresti në Greqi. Në 2016 u akuzua për rrëmbim dhe grabitje në Pire. Në 2019 u arratis nga Drejtoria e Migracionit në Petrou Ralli. Në 2022 Gjykata e Pestë Penale e Apelit e shpalli fajtor për arratisje, rezistencë, armëmbajtje pa leje, tentativë vrasjeje dhe rrëmbim personi. (Top Channel)

