Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti sot një delegacion të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, të udhëhequr nga kongresmeni Vern Buchanan, Kryetar i Komitetit për Partneritetin për Demokraci. Në takim mori pjesë edhe Ambasadori i SHBA në Shqipëri, Eric Wendt. Sipas njoftimit zyrtar, takimi u zhvillua në një moment kyç për vendin, ndërsa Shqipëria ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe me një rol gjithnjë e më aktiv në kuadër të NATO-s dhe sigurisë rajonale.
Bisedimet përqendruan vëmendjen te forcimi i mëtejshëm i partneritetit strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, me theks te bashkëpunimi për përballimin e sfidave të sigurisë dhe ruajtjen e një rajoni të qëndrueshëm dhe të sigurt. Palët diskutuan mënyra të bashkëpunimit në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe rëndësinë e koordinimit për të adresuar kërcënimet e përbashkëta në nivel rajonal.
Një tjetër pikë qendrore e takimit ishte përshpejtimi i rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Peleshi dhe delegacioni amerikan vlerësuan rëndësinë e avancimit të reformave dhe të forcimit të institucioneve demokratike si elemente kyçe të këtij procesi, duke nënvizuar nevojën për hapa të qartë në drejtim të konsolidimit institucional dhe respektimit të standardeve europiane.
Takimi trajtoi gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe marrëdhënieve të biznesit mes dy vendeve. Diskutimet synuan identifikimin e mundësive për krijimin e hapësirave shtesë për investime dhe partneritete private-publike, si dhe për forcimin e lidhjeve tregtare dhe ekonomike në përfitim të zhvillimit të mëtejshëm të vendit.
U theksua roli i Kuvendit dhe rëndësia e bashkëpunimit ndërparlamentar, duke nënvizuar nevojën për dialog konstruktiv mes forcave politike dhe grupeve parlamentare. Palët theksuan se një dialog i tillë është i domosdoshëm për avancimin e reformave, rritjen e transparencës dhe konsolidimin e institucioneve demokratike.
Në përfundim, u rikonfirmua rëndësia e partneritetit Shqipëri–SHBA si një marrëdhënie strategjike për sigurinë, mbrojtjen e paqes, integrimin euroatlantik dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit. (Top Channel)

