Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kërkuan përsëri funksionalizimin e institucioneve, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të qëllimshëm të tyre. Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca thanë nga salla se veprimet e Vetëvendosjes pengojnë ngritjen dhe funksionimin normal të institucioneve të vendit.
Përparim Gruda, deputet i PDK-së, deklaroi se deputetët e Vetëvendosjes mbajnë jashtëligjshëm edhe pozitat në ekzekutiv. Ai theksoi se kjo ndodh për shkak të përmbysjes së rendit kushtetues dhe bindjes së tyre se forca e tyre është mbi kushtetutën: “Pse guxon ministri i Financave që e ka emrin në vendim të Gjykatës Supreme me e bë këtë?! Sepse është përmbysë rendi kushtetues, sepse janë të bindur që forca e tyre shkon përtej kushtetutës”, u shpreh Gruda nga foltorja e Kuvendit.
Nga ana e Aleancës, deputetja Albana Bytyqi bëri thirrje për konstituim të Kuvendit, duke theksuar se zgjidhjet për problemet e qytetarëve kalojnë nëpërmjet formimit të institucioneve. Ajo tha: “Ajo që i duhet Kosovës është krijimi i institucioneve, i kuvendit, i qeverisë i presidentit. Ne nuk mund t’i zgjidhim të gjitha këto probleme duke bllokuar institucionet dhe shtetin me mendësinë e Vetëvendosjes”.
Teksa partitë opozitare apelojnë për vendosjen e institucioneve, Kuvendi i Kosovës nuk është konstituar pothuajse tre muaj pas zgjedhjeve. Afati kushtetues për këtë proces përfundoi më 7 gusht, duke lënë të paqartë hapat e mëtejshëm institucionalë.
Lëvizja Vetëvendosje, përkundër presionit, kërkon kohë shtesë për të siguruar 80 vota në Kuvend për të zgjedhur presidentin. Marrëveshja e saj me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) siguron 74 vota, pasi gjashtë deputetë të LDK-së nuk i dhanë mbështetje kandidatit Bekim Sejdiu, çka e vë në pikëpyetje arritjen e shumicës së nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

