Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, pas firmosjes së transferimit të Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, ka deleguar kompetencat te zëvendësi i saj, Anesti Kapllani. Sipas urdhrit të firmosur më një ditë më parë, Kapllani do të ushtrojë të gjitha kompetencat e funksionit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve nga ora 08:40 e datës 29 tetor deri në orën 13:00 të datës 1 nëntor.
Urdhëri përcakton se gjatë periudhës së delegimit i ngarkuari duhet të përshtasë punën me porositë e titullarit dhe të shmangë ndryshimet thelbësore që nuk janë të domosdoshme në rrethana të posaçme. Po ashtu, zëvendësdrejtori është i detyruar të informojë në mënyrë të detajuar, në rrugë elektronike, Drejtorin e Përgjithshëm për aktivitetin ditor në përfundim të orarit zyrtar. Dokumenti nënvizon se autoriteti i deleguar nënkupton ushtrimin nga Z. Kapllani i të gjithë kompetencave të funksionit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Urdhri titullohet “URDHËR PËR DELEGIM AUTORITETI” dhe përmend bazën ligjore të vendimit, duke referuar: Ligjin 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, Ligjin Nr.90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, Ligjin Nr.129/2024 për disa ndryshime në Ligjin 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”, si dhe Urdhrin nr. 122, datë 13.02.2025 të Ministrit të Drejtësisë të ndryshuar me urdhër nr. 135, datë 19.02.2025, për miratimin e rregullores “Për përcaktimin e metodave të brendshme të punës e sjelljen e personelit të Drejtorisë të Përgjithshme të Burgjeve dhe të Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.
Urdhëri, i cili hyn në fuqi menjëherë, përmend saktësisht periudhën e vlefshmërisë nga 29.10.2026 ora 08:40 deri më 01.11.2026 ora 13:00. Dokumenti mbyllet me firmën e Drejtorit të Përgjithshëm, Sadleva Bodo, dhe me vendimin e datës Tiranë, 28.10.2026.

