Drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, Sadleva Bodo, pas firmosjes së transferimit të Erion Veliajt nga burgu i Durrësit në atë të Fierit, ka deleguar kompetencat te zëvendësi i saj, Anesti Kapllani. Urdhri për delegim, i datës 28.10.2026, përcakton se Kapllani do të ushtrojë të gjitha kompetencat e funksionit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve për periudhën nga ora 08:40 e datës 29 tetor deri në orën 13:00 të datës 1 nëntor 2026.
Sipas dokumentit, i ngarkuari me detyrë duhet të përshtatë punën me porositë e titullarit dhe të shmangë ndryshimet thelbësore që nuk janë të domosdoshme në rrethana të posaçme. Autoriteti i deleguar përfshin ushtrimin e të gjithë kompetencave të funksionit të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve gjatë periudhës së përcaktuar. Në përfundim të orarit zyrtar, Kapllani është i detyruar të informojë në mënyrë të detajuar, nëpërmjet rrugës elektronike, Drejtorin e Përgjithshëm për aktivitetin ditor.
Urdhri për delegim citon bazën ligjore në të cilën mbështetet, përfshirë Ligjin 44/2015 “Kodi i Procedurave Administrative i Republikës së Shqipërisë”, Ligjin Nr.90/2012 “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe Ligjin Nr.129/2024 që sjell ndryshime në Ligjin 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me Burgim dhe të Paraburgosurve”. Dokumenti gjithashtu referon Urdhrin nr.122, datë 13.02.2025 të Ministrit të Drejtësisë, të ndryshuar me urdhër nr.135, datë 19.02.2025, për miratimin e rregullores “Për përcaktimin e metodave të brendshme të punës e sjelljen e personelit të Drejtorisë të Përgjithshme të Burgjeve dhe të Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale”.
Urdhri thekson se detyra e deleguar hyn në fuqi menjëherë dhe përsërit vlefshmërinë e afatit kohor nga 29.10.2026, ora 08:40, deri më 01.11.2026, ora 13:00. Dokumentin e mbyll nënshkrimi i Drejtoreshës së Përgjithshme, Sadleva Bodo. Source: Top Channel.

