Paketa Fiskale 2027 sjell lehtësime për konsumatorët dhe një pjesë të të punësuarve, por parashikon edhe ndryshime që rrisin kostot për bizneset. Sipas ekspertit fiskal Eduart Gjokutaj, problemi qendron te mungesa e një vlerësimi të integruar që të tregojë se si ndërthuren masat dhe kush përfiton apo paguan më shumë prej tyre. Ai thekson se pa këtë analizë, përmirësimet e pretenduara janë të parakohshme.
Një ndërhyrje kryesore lidhet me TVSH-në: paketë parashikon uljen e saj për ushqimet bazë, por njëkohësisht rritjen e normës standarde nga 20% në 21%, ndryshimin e normës për akomodimin dhe uljen e pragut të regjistrimit në TVSH për bizneset, nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore. Gjokutaj vlerëson se pjesa me ulje të TVSH-së për produktet bazë është e arsyeshme për të lehtësuar konsumimin, por nuk ka garanci që ulja do të reflektohet e plotë në çmimin përfundimtar, pasi kjo varet nga prodhuesit, importuesit, grumbulluesit, tregtarët dhe i gjithë zinxhiri i furnizimit, si dhe nga kostot dhe konkurrenca.
Ulja e pragut të regjistrimit në TVSH mund të përfshijë deri në 20 mijë tatimpagues të rinj, gjë që sipas Gjokutajt e vendos biznesin përballë një fakte të kryer dhe krijon detyrime të reja administrative dhe shpenzime për kontabilitet, faturim dhe deklarim. Ai paralajmëron se ndryshimi mund të ndikojë biznese që kanë bërë plane financiare bazuar te regjimi aktual, përfshirë ato të angazhuara në kredi.
Paketa ndërhyn edhe te tatimi mbi të ardhurat nga pagat: propozohet rritja e pragut të bazës së tatueshme me 13%, aplikimi i normës 23% në fashën 300 mijë–700 mijë lekë dhe një normë e re deri në 32% për mbi 700 mijë lekë. Sipas Gjokutajt, përfitimin kryesor e kanë punonjësit me paga mbi 200 mijë lekë, ndërsa norma e re rrit kontributin e pagave më të larta.
Në përmbledhje, Gjokutaj e përshkruan Paketën Fiskale si një ndërthurje masash që lehtësojnë konsumatorët dhe punonjësit, por që rrezikojnë bizneset për shkak të mungesës së analizës së kostove dhe ndikimeve, duke krijuar paqartësi dhe kosto shtesë për sipërmarrjen.

