Në Komisionin Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm u diskutua projektligji “Për shfuqizimin e ligjit nr. 20/2025, ‘Për paketën e Maleve’”, nismë e propozuar nga deputeti i Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi. Muçi kërkon shfuqizimin e ligjit, duke argumentuar se ai prek një pjesë të konsiderueshme të territorit dhe krijon problematika mbi administrimin dhe përdorimin e pronës. Sipas tij, “Paketa e Maleve” prek rreth 23% të territorit të Shqipërisë dhe mund të sjellë ndryshime në statusin e pronave të përfshira; “Synon të tjetërsojë 23% të territorit të Shqipërisë. Duhet të shfuqizohet patjetër”, tha Muçi.
Anëtarët e komisionit diskutuan nismën; përfaqësuesit e Partisë Socialiste ngritën pikëpyetje mbi argumentet e paraqitura në relacionin shpjegues dhe kërkuan që pretendimet të shoqërohen me të dhëna konkrete. Si përgjigje për pyetjet e ngritura gjatë mbledhjes, foli anëtari socialist Pirro Vengu, i cili kundërshtoi pretendimin se zbatimi i ligjit do të çonte në marrjen e pronave të qytetarëve. Vengu tha se bëhet fjalë për një proces që zhvillohet mbi pasuri shtetërore dhe se pretendimi për marrjen e pronave, ndërsa politikisht duket i fortë, “juridikisht kuptohet që është i cekët”.
Vengu theksoi se procesi është i hapur dhe i auditueshëm dhe se ligji zbatohet mbi pasuri shtetërore. Ai u shpreh se diskutimi po mbahet “në pohim pa fakte” dhe vuri në dukje se relacioni i propozuar nuk përmbush standardet e nenit 68 të rregullores së Kuvendit. Për të pasur një vlerësim më të plotë mbi nismën, Vengu propozoi që komisioni të kërkojë të dhëna shtesë nga organet përgjegjëse dhe Këshilli i Ministrave: analizë financiare, numrin e aplikimeve, statusin e tyre dhe ndikimin financiar të zbatimit të ligjit. Ai argumentoi se këto elemente janë të nevojshme për të formuluar mendimin e komisionit në mënyrë të argumentuar dhe të dokumentuar. Top Channel

