Në Takimin e 22-të të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri në Tiranë u zhvilluan debate mbi rolin e Kuvendit, kontrollin ndaj qeverisë dhe zbatimin e ligjeve, me mazhorancën dhe opozitën që shprehën qëndrime të kundërta lidhur me funksionimin e Parlamentit dhe hapësirën e kontrollit parlamentar në procesin e integrimit në BE.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, theksoi se synimi është përfundimi i negociatave të anëtarësimit brenda Krishtlindjeve të 2027 dhe anëtarësimi në BE brenda vitit 2030, duke përmendur se janë hapur tashmë gjashtë kapituj. Balla vuri theksin te nevoja për të kaluar nga miratimi i ligjeve te zbatimi i tyre konkret, duke argumentuar se përafrimi ligjor nuk mjafton pa institucione funksionale dhe rezultate të prekshme për qytetarët. Ai kërkoi që fokusi të kalojë nga standardet e shkruara te ato që qytetari i ndjen në jetën e përditshme.
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, shprehu një qëndrim kritik për mënyrën e funksionimit të Kuvendit, duke e cilësuar integrimin europian si një proces transformimi institucional, jo vetëm miratim ligjesh. Bardhi akuzoi mazhorancën se i mohon opozitës instrumentet kushtetuese të kontrollit ndaj qeverisë: sipas tij, në një vit opozita ka paraqitur shtatë kërkesa për interpelancë apo llogaridhënie nga Kryeministri të cilave nuk u është përgjigjur, dhe ka kërkuar ngritjen e gjashtë komisioneve hetimore që nuk janë pranuar. Ai ngriti edhe çështjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me të drejtat e pakicës parlamentare, duke theksuar nevojën për kontroll dhe balancë, jo vetëm shumicë votash, dhe kërkoi institucione më të forta, Parlament më funksional dhe më shumë llogaridhënie, jo vetëm mbylljen e kapitujve negociues.
Deputeti demokrat Ivi Kaso kritikoi mënyrën e përfundimit të punës së Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, duke thënë se mazhoranca refuzoi më 23 qershor 2026 kërkesën e opozitës për zgjatje të mandatit ndërsa konsultimet dhe raporti përfundimtar nuk kishin përfunduar. Ai lidhë reformën me zgjedhjet e ardhshme, argumentuar se përcaktimi i kufijve të bashkive ndikon konkurrencën elektorale dhe kërkoi rikthimin e procesit në tryezë ndërpartiake, konsultime të plota dhe bazimin e ndryshimeve në kritere objektive socio-ekonomike dhe konsensus të gjerë politik. Kaso theksoi nevojën për një reformë që forcon pushtetin vendor dhe shërben qytetarëve, jo një hartë të vendosur në mënyrë të njëanshme para zgjedhjeve.

