Policia e Shtetit dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) i Bashkisë Tiranë kanë konfiskuar një objekt banimi dhe shërbimi të ndërtuar pa leje në rrugën “Llukë Kaçaj”, Njësia Administrative Nr. 4, Tiranë. Sipas verifikimeve, ndërtesa është 12-katëshe dhe është ndërtuar me tejkalim të lejes së dhënë: janë shtuar kati i 10 dhe i 11 mbi një objekt prej 9 katësh dhe është ndërtuar një pjesë e katit të 12-të. Gjithashtu është konstatuar se objekti është vënë në shfrytëzim pa certifikatë përdorimi.
Konfiskimi u krye si pjesë e një aksioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe strukturave të IMT-së, përmes Drejtorisë së Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit, në zbatim të ligjit dhe për mbrojtjen e interesit publik. Referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025, tejkalimi i sipërfaqes ka rezultuar mbi pragun ligjor 10% që parashikohet për masën e konfiskimit për interes publik.
Materialet procedurale lidhur me këtë rast janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë kanë dërguar disa herë materiale procedurale në Prokurori për shkeljet e konstatuara në këtë objekt.
Në njoftim theksohet se Policia e Shtetit do të vazhdojë angazhimin për bashkëpunim të ngushtë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese përgjegjëse për kontrollin e territorit. Qëllimi i këtij bashkëpunimi është parandalimi, konstatimi dhe goditja e rasteve të ndërtimeve të paligjshme dhe i krimeve kundër mjedisit në tërësi.

