Fiks Fare vijoi denoncimet për veprimet e institucioneve ligjzbatuese në Sarandë, të cilat sipas emisionit ende nuk kanë zbardhur ngjarjen e 5 shkurtit 2026, kur në automjetin e Mirash Gjikolajt u vendos një sasi e madhe tritoli. Përkundër kërkimeve të drejtimit të hetimeve, denoncuesi thotë se është shoqëruar, kërcënuar dhe goditur nga punonjës të institucioneve, ndërsa autorët e vendosjes së eksplozivit nuk janë arrestuar.
Mirash Gjikolaj u paraqit në ambientet e Top Channel së bashku me makinën, të cilën prokuroria ia ka kthyer. Ai deklaroi se në emisionin e datës 16 prill u transmetua historia e tij dhe se një ditë më pas mori mjetin mbrapsht. Mirashi tha se brenda automjetit ishin vendosur gjashtë kallëpe tritoli poshtë sediljes dhe pretendon se i njeh autorët nga veshja dhe mënyra e ecjes, por se prokuroria nuk ka interes të bëjë kapjen e tyre.
Ai rrëfeu gjithashtu ngjarinë e datës 16 prill 2026: rreth orës 21:30 një furgon policie ka shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Shëndelli. Sipas tij, në furgon ndodheshin oficeri i policisë gjyqësore Artan Bajrami, SPZ-ja e zonës dhe një polic tjetër, të cilët i kërkuan të shkojë me ta. Mirashi thotë se oficeri i kërkoi me ngulm telefonin; ai refuzoi duke kërkuar mandat ose urdhër dhe iu ofrua ta dorëzonte në polici apo prokurori. Gjatë rrugës për në prokurori, pranë urës së Vrinës, Mirashi pretendon se oficeri Bajrami i ka futur dorën në xhep dhe ia ka marrë celularin, dhe më pas e ka goditur me shpullë në kokë. Në Prokurorinë e Sarandës ai takoi prokuroren Valbona Maja.
Mirashi akuzon prokuroren se, në vend që ta mbrojë, i kërkonte llogari pse denoncoi dhe se pretendonte se po prishte hetimet, edhe pse sipas tij nuk kishte informacion dhe ishte i pambrojtur. Ai thotë se në një zarf nga Prokuroria i janë dhënë të dhëna hetimi, përfshirë emra, vula dhe numër protokolli.
Fiks Fare kontaktoi prokuroren Valbona Maja, e cila mohoi se Mirashi është shoqëruar me forcë dhe se ka pasur goditje. Ajo tha se ai është marrë për deklarime dhe është shoqëruar për arsye sigurie për shkak të orës së vonë, dhe se nuk mund të japë informacion sepse çështja është nën hetim.















