Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka pezulluar nga detyra të gjithë zinxhirin komandues të Komisariatit të Policisë Himarë që kanë qenë në detyrë gjatë periudhës kur është ndërtuar një objekt 5-katësh pa leje në Qeparo. Pezullimi i menjëhershëm dhe nisja e hetimit disiplinor kanë prekur katër punonjës të policisë:
– Nënkomisar Ferit Merkaj, ish-shef i Komisariatit të Policisë Himarë, aktualisht shef i Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP Vlorë;
– Komisar Emiljano Prenga, ish-shef i seksionit dhe specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve në Volum në Komisariatin e Policisë Himarë, aktualisht me detyrë të ngjashme në Komisariatin e Policisë Divjakë;
– Nënkomisar Klodjan Petani, ish-specialist për hetimin e krimit në Zona Policore nr. 1, aktualisht specialist për hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë;
– Inspektor Redin Çaushaj, me detyrë ndihmës/specialist SPZ, Zona Policore nr. 1, në Komisariatin e Policisë Himarë, zonë ku u konstatua ndërtimi pa leje.
Pezullimi u krye pasi në vendin e quajtur “Sugë”, Qeparo, u konstatua se shtetasi L. B., banues në Laç, kishte ndërtuar një objekt me një kat nëntokë dhe katër kate mbi tokë pa lejen e organeve kompetente. Shtetasi L. B. u arrestua ditën e djeshme nga Komisariati i Policisë Himarë. Po ashtu, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” u shpallën në kërkim tre punonjës të Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Himarë, konkretisht kryeinspektori dhe dy inspektorë.
Verifikimet paraprake tregojnë se ndërtimi i objektit kishte filluar në dhjetor 2025 dhe se nga ana e Komisariatit të Policisë Himarë nuk janë marrë masa për parandalimin e ndërtimit dhe për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personit që po kryente ndërtimin. Për shkak të këtyre gjetjeve, filloi procedura disiplinore ndaj zyrtarëve të pezulluar dhe po vijojnë veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.

