Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) njoftoi nisjen e fluturimit të parë të drejtpërdrejtë drejt Torontos, Kanada, duke shënuar fluturimin e parë transoqeanik në historinë e Shqipërisë. Avioni Airbus A330-200, i nisur nga Toronto, u ul në TIA në orën 13:30 dhe u prit me ceremoni nga ministri i Energjisë dhe Transportit, Enea Karakaçi, si dhe drejtues të Kastrati Group dhe TIA-s.
Partner i ri i TIA-s, Air Transat — e vlerësuar si “Kompania më e mirë ajrore për udhëtime turistike në botë” nga Skytrax World Airline Awards — do të operojë një fluturim në javë, çdo të premte, deri më 8 tetor 2026. Aeroplani i linjës është i dedikuar për fluturime të gjata dhe ofron udhëtim sipas standardeve të larta të komoditetit.
Kryeministri Edi Rama, pjesë e ceremonisë inauguruse, vlerësoi punën e aeroportit dhe theksoi rritjen e trafikut ajror që nga 2016-a: “Në 2016-n […] kishte vetëm 22 mijë fluturime në vit për 2.2 milionë pasagjerë. Më pak se 10 vite më vonë, numri i pasagjerëve arriti në 13.7 milionë dhe numri i fluturimeve në 82 mijë, një shifër që ne parashohim të kalojë 100 mijë në fund të kësaj dekade dhe në fillim të dekadës tjetër. Ashtu si, nga ana tjetër, nuk është vetëm rritja e numrit të pasagjerëve, por është edhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit”.
Howard Liebman, zv.President për Marrëdhëniet Qeveritare në Air Transat, deklaroi: “Si e vetmja kompani ajrore që ofron një fluturim pa ndalesë mes Amerikës së Veriut dhe Tiranës, jemi jashtëzakonisht krenarë që sjellim shërbimin tonë në këtë linjë unike”. Piervittorio Farabbi, Drejtor Operacional i TIA-s, tha se ky fluturim “hap një portë strategjike drejt Atlantikut të Veriut, duke e afruar Shqipërinë me një nga komunitetet e saj më të rëndësishme të diasporës dhe duke krijuar mundësi të reja për turizmin, tregtinë dhe investimet”.
Sipas përfaqësuesit të Air Transat, Yohann Naudy, udhëtimi zgjati rreth 8 orë dhe gjithçka shkoi mirë; vendet ishin pothuajse të rezervuara në premium economy dhe economy. Vendosja e fluturimeve direkte midis Shqipërisë dhe Kanadasë pritet të shërbejë si portë lidhëse me Amerikën e Veriut për të gjithë Ballkanin Perëndimor. Falë investimit të vazhdueshëm të Kastrati Group, TIA është transformuar dhe përmbush standardet e aviacionit modern për fluturime ndërkontinentale.

