Tifozët e Brazilit që udhëtuan drejt Philadelphia për të ndjekur ndeshjen me Haitin në Botërorin 2026 morën vetëm foto dhe selfiet me statujën e Rocky Balboa në shkallët e Philadelphia Museum of Art, pa e veshur me fanellën e kombëtares. Statuja bronzi, mbi 3 metra dhe me peshë 600 kg, njihet si simbol i qëndresës dhe guximit, por me vite është shoqëruar edhe me një supersticion sportiv: sipas besimit, veshja e saj me ngjyrat e skuadrës së dytë sjell ters dhe kjo skuadër në fund humbet ndeshjen.
Shembulli i fundit i këtij bestytni u pa kur tifozët e Ekuadorit, pas festimeve në shkallë, veshën statujën me fanelën dhe i lidhën një flamur të vendit; më vonë Amad Diallo shënoi në minutën e 90, duke i dhuruar Bregut të Fildishtë fitoren 1-0 ndaj Ekuadorit, në pjesëmarrjen e këtij të fundit në një Botëror pas 12 vitesh. Ky episod duket se ndikoi sjelljen e brazilianëve.
Grupi i tifozëve “Green and Yellow Movement” këshilloi bashkëkombasit që të mos preknin statujën dhe të mos vishnin fanellën e Brazilit mbi të. Edhe enti turistik i Philadelphias paralajmëroi vizitorët e huaj, duke kujtuar se “me Rocky është më mirë të mos bësh shaka”, referencë ndaj episodit të Ivan Drago në film. Pasi morën paralajmërimet, qindra brazilianë u mblodhën në shkallë dhe imituan pozën karakteristike të Rocky me krahët lart, pa vendosur fanella apo shalla kombëtare mbi statujë.
Për të parandaluar incidente, zona përreth statujës u kufizua me kordone dhe katër punonjës sigurie ishin të pranishëm për të monitoruar situatën; ata u prezantuan në mënyrë terësisht ceremoniale si “mbrojtësit e Rocky”. Statuja, e krijuar për serinë e filmave Rocky me Sylvester Stallone, është një atraksion kryesor i qytetit: sipas Philadelphia Visitor Center, rreth 4 milionë persona vizitojnë çdo vit shkallët e muzeut, një shifër e ngjashme me atë të vizitorëve të Liberty Bell.

