Ministria e Drejtësisë po përkthen materialet franceze për kërkesën e ekstradimit të Ermal Beqirit, përfshirë vendimin e masës së sigurisë të shpallur në dhjetor 2025 dhe akte nga fashikulli hetimor që do t’i bashkëngjiten letërporosisë. Sipas burimeve pranë përkthyesve të licensuar të gjuhës frënge, gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, raporton se kërkesa për ekstradim nuk është përfunduar dhe ende nuk i është përcjellë drejtësisë franceze. Dosja konsiderohet voluminoze dhe do të nevojiten disa ditë të tjera që nga njoftimi zyrtar, i bërë pas arrestimit të Beqirajt nga SPAK.
SPAK ka ndërmend të nisë edhe një kërkesë të dytë për ndihmë juridike në Francë, për vendosjen nën sekuestro të pasurive që dyshohen se i përkasin Beqirajt: një kështjellë, dy avionë, dy shtëpi dhe automjete. Këto masa lidhen me dosjen e AKSHI-t, ku Beqiraj kërkohet dhe dyshohet për vepra të ndryshme penale, përfshirë “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë”.
Nga verifikimet rezulton se policia e ka shpallur në kërkim me kartelë të kuqe Beqirajn brenda ligjit dhe afateve; një ditë pas datës 24.12.2025 Prokuroria e Posaçme i kërkoi Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Zyrës Qendrore Kombëtare, Interpol Tirana, shpalljen në kërkim ndërkombëtar të personave ndaj të cilëve ishte caktuar masa “arrest në burg” sipas nenit 238 të K.Pr.Penale. Shpallja ndërkombëtare është reflektuar në databazën e Interpol Tirana si “njoftim i kuq” (red notice).
SPAK njoftoi gjithashtu se nga hetimet dhe bashkëpunimi me autoritetet franceze u identifikuan në Francë disa asete me origjinë kriminale: llogari bankare me vlerë totale mbi dy milionë euro, dy apartamente, blerja e një kështjelle në departamentin e Oise (60) me vlerë rreth 2.6 milionë euro, si dhe mjete motorike.

