Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i ka bërë thirrje udhëheqësve politikë në Kosovë që të veprojnë në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese për formimin e institucioneve të reja. Në reagim, ambasada paralajmëron për mundësi të humbura dhe kërkon që udhëheqësit t’i japin përparësi progresit dhe stabilitetit “në të mirë të të gjithë qytetarëve”. Sipas deklaratës, “Udhëheqja politike e Kosovës duhet të bashkëpunojë për të formuar institucionet në përputhje me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Populli i Kosovës pret nga udhëheqësit e tij që të përmbushin zotimin për të punuar në interesin më të mirë të vendit”.
Mesazhi i Ambasadës erdhi në të njëjtën ditë kur seanca konstituive për Kuvendin nuk arriti të konstituonte Kuvendin, pasi kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kërkoi kohë shtesë për bisedime lidhur me zgjedhjen e Presidentit. Kërkesa për kohë shtesë u miratua nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, dhe seanca nuk vazhdoi me formimin e institucioneve të tjera.
Sipas një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit të kaluar, deputetët kanë detyrim që ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore. Ky afat përfundon më 7 gusht në orën 23:59, duke krijuar presion kohor për përfundimin e procesit të konstituimit. Në deklarimet e tij, Kurti nuk dha shenja se do ta thërrasë vazhdimin e seancës brenda këtij afati, duke thënë se i duhet kohë shtesë për bisedime dhe se “vetëm atëherë kur ta kemi arritur dakordimin për çështjen e Presidentit, të procedojmë me konstituimin e institucioneve të tjera”.
Ambasada përsëriti se ngërçi politik po i kushton Kosovës mundësi të humbura dhe riafirmoi nevojën që udhëheqësit të veprojnë në interes të përgjithshëm, duke i bërë thirrje që të prioritizojnë stabilitetin dhe progresin. Top Channel

