Moderatorja Ori Nebijaj ka reaguar pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjet të videove me përmbajtje intime, duke e cilësuar jo si skandal jetën private të personave të përfshirë, por si shkelje të privatësisë dhe përhapje të pamjeve pa pëlqimin e tyre. Në një postim në rrjetet sociale, Nebijaj kritikon interesin e madh të publikut për të kërkuar dhe shpërndarë materiale të tilla dhe kërkon përgjegjësi penale për ata që provohet se kanë filmuar ose kanë shpërndarë pamje intime pa pëlqimin e personave të përfshirë.
Në postimin e saj, me titull “NGA SKANDALI NE SPEKTAKEL”, ajo shkruan se si popull jemi të frustruar seksualisht dhe se kur del një video intime etja për t’i parë bëhet e madhe. Sipas saj, skandali i vërtetë është thyerja e privatësisë dhe mënyra se si njerëzit i kërkojnë, i presin dhe i shpërndajnë ato pamje, gjë që e quan “neveritëse”. Ajo thekson se mund të ketë gra që janë filmuar pa dëshirën e tyre dhe akuzon autorët e këtyre skenave si “burra ordinerë, fekale të shoqërisë”.
Nebijaj kërkon sanksione të qarta penale për këdo që filmon intimitetin e dikujt pa pëlqim dhe për këdo që i shpërndan ato pamje pa pëlqim, duke i përshkruar këto veprime si abuzim e jo argëtim. Ajo vë në dukje fenomenin e shpërndarjes masive nëpër telefona dhe hipokrizinë e publikut, që lë pas çështje të tjera serioze si abuzimi me pushtetin, shtetin dhe përdorimi i taksave.
Moderatorja kritikon gjithashtu standardet e dyfishta morale: kur bëhet fjalë për kërkim llogaridhënie bëhemi spektatorë, kur duhet respektuar privatësia bëhemi prokurorë. Sipas saj, fatura e turpit shpesh i bie gruas së pari, edhe nëse burri është pjesë e të njëjtës histori; ajo thekson se gruaja bëhet titulli, objekti i gjykimit dhe shënjestra e komenteve. Postimi përfundon me përmendjen e emrit “ADRIAN HILA” dhe thirrjen për dënim me burg për këdo që ka shpërndarë videot, si si “dorë e parë” ashtu edhe “dorë e dytë”.

