Pas deklaratës publike të deputetes së Shkodrës, Marjana Koçeku, e cila iu drejtua familjes Bajri me një mesazh paralajmërues të shpërndarë në rrjetet sociale, ka ardhur reagimi i përfaqësuesit ligjor të tyre, avokatit Sokol Tahiraj, raporton gazetarja Anila Hoxha. Tahiraj kundërshton deklaratat e deputetes, duke i cilësuar të pabazuara, denigruese dhe në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës.
Në reagimin e tij publik, avokati thekson se askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht pa vendim të organeve kompetente të drejtësisë. Siç citon ai: “Në një shtet të së drejtës, askush nuk mund të shpallet fajtor apo të etiketohet publikisht mbi bazën e deklaratave politike, perceptimeve personale apo insinuatave mediatike. Çdo pretendim për përgjegjësi penale duhet të mbështetet në prova dhe të vlerësohet vetëm nga organet e drejtësisë”.
Reagimi i Tahirajt vjen pas mesazhit të publikuar më herët nga Koçeku, e cila i drejtohej familjes Bajri me fjalët: “Ky mesazh i drejtohet Bajrajve të Shkodrës. Nëse familjes teme i preket kjoftë edhe nji qime floku, unë s’kam me lanë pa ju shkatërrue, sa ta kem jetën”.
Në deklaratën e tij të plotë, Tahiraj shpjegon se fjalët e deputetes, të cilat përmendin klientët e tij në një kontekst kërcënues dhe stigmatizues, cenojnë dinjitetin, reputacionin dhe të drejtat themelore të personave të përfaqësuar. Ai sjell në vëmendje se këto deklarata cenojnë parimin e prezumimit të pafajësisë, të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Avokati vlerëson se gjuha e përdorur nuk kontribuon në debatin demokratik apo informimin e publikut, por krijon klimë tensioni dhe paragjykimi ndaj të përmendurve. Për këto arsye, ai njofton se po shqyrtojnë seriozisht të gjitha mjetet ligjore në dispozicion për mbrojtjen e interesave të klientëve, përfshirë kallëzimet dhe ndjekjen e procedurave ligjore ndaj çdo deklarate që rezulton e pavërtetë, shpifëse apo cënuese. Tahiraj fton zonjën Koçeku që, nëse disponon prova konkrete për pretendimet, t’i paraqesë ato pranë institucioneve përgjegjëse sipas ligjit dhe jo në media apo rrjete sociale. Klientët do të vazhdojnë të mbrojnë të drejtat e tyre përmes mjeteve ligjore.

