Një raund tre-ditor negociatash mes Izraelit dhe Libanit nis sot në Uashington, ku pala izraelite paraqet harta dhe një propozim për një plan pilot të tërheqjes së pjesshme nga një zonë e kufizuar në jug të Libanit, sipas mediave izraelite. Sipas planit në diskutim, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) do të tërhiqen nga një zonë specifike, e cila besohet se është pastruar kryesisht nga aktivitetet ushtarake, ndërsa ushtria libaneze do të vendoset në këtë territor nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara. Një burim izraelit deklaroi për Channel 12 se do të paraqiten harta për të përcaktuar zonën pilot, që sipas tij ndodhet në jug të lumit Litani, poshtë asaj që njihet si “vijë e verdhë”.
Qeveria izraelite dhe strukturat e sigurisë synojnë të krijojnë masa për ndërtimin e besimit mes palëve, për të shmangur presionet apo ndërhyrjet e jashtme, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Iranin. Negociatat, që pritet të përfundojnë të enjten, zhvillohen në dy grupe pune paralele: një politik dhe një ushtarak. Grupi politik udhëhiqet nga ambasadori Yechiel Leiter dhe Yossi Dresnin, i dërguari i kryeministrit izraelit dhe zyrtar i lartë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Grupi ushtarak drejtohet nga kreu i Departamentit të Strategjisë, Michael Levin, së bashku me atasheun ushtarak në detyrë, Arik Ben-Dov.
Burimet thonë se Izraeli, Libani dhe Shtetet e Bashkuara hyjnë në bisedime me pritshmëri për rezultate konkrete. Ndërkohë, forcat izraelite vazhdojnë të mbajnë nën kontroll pika strategjike ku operacionet ushtarake nuk kanë përfunduar, veçanërisht në zonën e Kodrës Ali Taher, në koordinim me Shtetet e Bashkuara. Në këtë zonë ndodhet një strukturë e madhe nëntokësore që, sipas Izraelit, i përket Hezbollahut; autoritetet po shqyrtojnë mënyra për shkatërrimin e saj pa ndikuar në procesin diplomatik që zhvillohet paralelisht.
Divizioni i 36-të i ushtrisë izraelite, ku përfshihen Brigada Givati dhe Brigada e 401-të e Blinduar, operon në terren në kuadër të një misioni kompleks me komponentë inxhinierik dhe operacional. Propozimi ushtarak për neutralizimin e objektit nëntokësor pritet t’i paraqitet udhëheqjes politike izraelite, ndërsa vendimi përfundimtar mund të merret gjatë ditëve në vijim.

