Një ngjarje e rëndë kriminale tronditi Italinë kur në orët e para të mëngjesit të 19 korrikut u gjet trupi i pajetë dhe i djegur i 53-vjeçarit Luigi Esposito, i njohur si Luca Esposito. Viktima u zbulua në një zonë të izoluar në distriktin Cioffi, përgjatë rrugës shtetërore 7bis, në komunën Eboli, provinca e Salernos. Alarmi u dha rreth orës 03:30, pasi një zjarr në shkurre shpërtheu në një zonë të fshehur nga rruga kryesore; në vendngjarje mbërritën zjarrfikësit për të shuar flakët dhe karabinierët për të siguruar zonën. Pas fikjes së zjarrit u zbulua trupi i burrit, i djegur pothuajse plotësisht, njofton Corriere della Sera.
Në vendngjarje mbërriti edhe prokurori i gatshëm i Salernos, Alessandro Di Vico, i cili nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Identifikimi i viktimës u bë pas disa orësh. Sipas ekzaminimeve të para mjeko-ligjore, në trupin e Luca Espositos u konstatua një plagë e shkaktuar nga armë zjarri. Pranë trupit u gjet edhe një gëzhojë, duke forcuar dyshimet se 53-vjeçari ishte ekzekutuar fillimisht dhe më pas autorët i kishin vënë flakë trupit për të fshehur gjurmët e krimit.
Luigi Esposito ishte me origjinë nga Nocera Inferiore dhe punonte në ARPAC, Agjencinë Rajonale të Kampanjës për Mbrojtjen e Mjedisit. Gjatë karrierës së tij kishte shërbyer në Avellino dhe Caserta, ku merrej kryesisht me kontrollet mjedisore në fermat e buajve. Përveç profesionit si biolog, ai ishte i diplomuar edhe në Letërsi dhe prej vitit 2012 ushtronte aktivitet si gazetar i pavarur. Esposito drejtonte portalin sportiv “Tutto Salernitana” dhe bashkëpunonte edhe me kanalin televiziv Otto Channel.
Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e motiveve të kësaj vrasjeje të rëndë. Hetimet po vijojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar përgjegjësit.

