Policia Helenike disponon një kronologji dixhitale të detajuar të funksionimit të makinës së plazmaferezës, e cila është pjesë e hetimit për vdekjen e këngëtarit Giorgos Mazonakis. Të dhënat e regjistruara nga aparatura dokumentojnë fazat kyçe të procedurës: përgatitjen e makinës, nisjen e shkëmbimit të gjakut, ndërprerjen e trajtimit, alarmet e njëpasnjëshme dhe përpjekjet për rinisjen e saj.
Sipas informacionit të publikuar dhe hetimeve, makina u aktivizua në orën 14:14, por në atë moment shkëmbimi i gjakut nuk kishte filluar ende. Të dhënat e mbledhura nga policia dhe dëshmia e shoferit të taksisë tregojnë se Mazonakis dyshohet të ketë mbërritur në klinikë rreth orës 13:50-14:00. Nëntë minuta pas aktivizimit, në 14:23, u regjistrua alarmi i parë; sipas vlerësimit të hetuesve, ky sinjal mund të lidhej me një problem në tubacione, si përdredhja e një tubi, ose me ndryshim në presionin e pacientit.
Procedura e shkëmbimit të gjakut nisi në 14:37, orë që hetuesit e konsiderojnë element objektiv për krahasim me pamjet e kamerave, fotografitë, dëshmitë dhe të dhënat e tjera elektronike. Pika më kritike në kronologji është ora 15:22, kur makina ndalon shkëmbimin e gjakut. Pas kësaj, sistemi regjistron një seri alarmsish që autoritetet i studiojnë për të përcaktuar gjendjen e pacientit dhe veprimet e stafit mjekësor.
Deri në 15:45 makina regjistron edhe tre alarme të tjera, të cilat, sipas të dhënave në rishikim, shoqërohen me mungesën e rrahjeve të zemrës. Në 15:45 i jepet komanda për të rinisur aparatin, por makina ndalet pothuajse menjëherë pas tentativës për rinisje. Kjo gjurmë dixhitale po analizohet për të kuptuar se çfarë sinjalizonte aparati në atë moment dhe pse procedura nuk mundi të vazhdonte.
Kronologjia tregon gjithashtu se nga ndërprerja e parë në 15:22 deri në thirrjen për urgjencë në 16:11 kaluan 49 minuta, gjatë të cilave aparatura regjistroi alarmet e përsëritura dhe një përpjekje të dështuar rinisjeje. Autoritetet po krahasojnë këtë kronologji me të gjitha provat e tjera të mbledhura për të përcaktuar kohën e përkeqësimit të gjendjes së Mazonakis dhe masat e marra në klinikë.

