Ilir Meta reagoi sërish pas seancës gjyqësore, duke shpjeguar çfarë nënkuptonte me simbolin me shtatë gishta. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai falënderon gazetaren dhe moderatoren e “Shqipëria Live” në Top Channel, Sidorela Gjoni, për vëmendjen ndaj procesit gjyqësor dhe për përpjekjet për të realizuar një intervistë me të në IEVP “Jordan Misja”. Meta thotë se ndoqi bisedën me avokatin e tij, Kujtim Cakrani, i cili e kishte lajmëruar më parë.
Ai shprehet se, në hapësirën gjeografike midis Ishujve Azore dhe Vladivostokut, është i vetmi i burgosur politik që nuk lejohet të intervistohet drejtpërdrejt nga gazetarët, pavarësisht se disa gazetarë kanë marrë leje nga SPAK. Lidhur me simbolin me numrin 7, Meta sqaron se avokati nuk pati mundësi ta dëgjojë sepse ai iu drejtua deputetëve të pranishëm, duke thënë se standardet e “kafazit” nuk ishin me pesë yje, por me shtatë yje.
Ai përmend edhe një problem teknik që ndodhi gjatë inauguruarjes së sallës së re: kondicioneri filloi të rridhte ujë nga tavani, si të binte shi, dhe mund të ketë qenë për shkak se sallës nuk i ishte bërë ende kolaudimi i mirëmbajtjes. Meta falënderon Partinë Demokratike, liderin e saj Prof. Dr. Sali Berisha dhe deputetët demokratë për solidaritetin dhe për përpjekjet për ndërkombëtarizimin e çështjes së tij.
Sa i përket librit të tij, Meta thotë se do të përshkruajë dhjetë vitet e fundit, për të treguar shqiptarëve se si Reforma në Drejtësi, e votuar me 140 vota dhe sipas standardeve të Komisionit të Venecias, u shndërrua në “Ramaformë” me standarde që, sipas tij, ngjajnë me ato të “Lanës” — çështje që ai thotë se i ka denoncuar publikisht si President i Republikës edhe para mitingut të 2 marsit 2020. Meta përfundon duke kërkuar që të çehet bllokada dhe të realizohet intervista live në IEVP “Jordan Misja”, duke deklaruar se është i hapur për çdo pyetje.

