Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, akuzon Ministrin e Jashtëm Ferit Hoxha për një tjetër gafë publike, pas deklaratës së këtij të fundit për marrëveshjen me Italinë në lidhje me vendosjen e emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri, të cilën Hoxha më pas e relativizoi duke thënë se ishte nxjerrë “jashtë kontekstit” dhe më shumë një opinion personal. Këlliçi thotë se shpjegimet e shpeshta të ministrit tregojnë mungesë serioziteti dhe dëmtojnë imazhin e vendit.
Në reagimin e tij me titull “Prapë ti Ferit…?!”, Këlliçi kritikon ashpër sjelljen e Hoxhës, duke e përshkruar atë si arrogancë dhe ndjenjë mbizotërimi. Ai thekson se kur një kryediplomat duhet të japë shpjegime një herë në javë për deklaratat dhe veprimet e tij, ekziston një problem serioz. Sipas Këlliçit, Hoxha i ka thënë një gazetari italian në Bruksel se marrëveshja pesëvjeçare me Italinë për dërgimin e emigrantëve në Shqipëri nuk do të rinovohet; më pas ministri sqaroi se qëndrimi i nxjerrë jashtë kontekstit ishte më shumë një opinion personal.
Këlliçi rikujton gjithashtu skandalin e mëparshëm, kur Hoxha, në një grup zyrtar komunikimi me ambasadorë dhe vartës, i kishte cilësuar shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “idiotë”. Për atë incident, Hoxha së pari mohoi, pastaj e përshkroi si komplot, fshiu mesazhin dhe e minimizoi çështjen, duke argumentuar më vonë se komunikimi i rëndësishëm ishte ai në kanalet zyrtare të Ministrisë së Jashtme, jo ai që ishte përdorur me ambasadorët dhe vartësit.
Këlliçi vlerëson se këto incidente nuk janë spontane, por pasojë e një fodullëku dhe mendjemadhësie tipike të bashkëpunëtorëve të Edi Ramës, të cilët sipas tij mendojnë se janë mbi të tjerët në aspekt intelektual dhe kur gabojnë fajësojnë të tjerët, përfshirë opozitën. Ai thotë se nëse Hoxha do të kishte dhënë dorëheqjen pas skandalit me fyerjen e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, incidenti me shtypin italian nuk do të kishte ndodhur, dhe paralajmëron mundësinë e incidenteve të tjera. (Burimi: Top Channel)

