Bashkia Dimal zhvilloi një mbledhje emergjente të Këshillit Bashkiak me qëllim miratimin e mosshkrirjes së bashkisë. Fillimisht u lexua relacioni që propozon shkrirjen e bashkisë Dimal dhe bashkimin e saj me bashkinë Berat. Sipas relacionit, arsye të vetme të paraqitura janë lidhja historike e hershme (ish rrethet), shtrirja përgjatë lumit Osum dhe ekzistenca e Spitalit në Berat, raporton korrespondenti i Top Channel Bledar Korreshi.
Këshilltarët bashkiak vërejtën se këto arsye nuk përputhen me analizën e raportit të ekspertëve. Ata paraqitën të dhëna për investimet e kryera gjatë 10 viteve të fundit, sipas të cilave bashkia Dimal ka pasur një mesatare 38% të investimeve të kryera me buxhetin e vet aktiv, duke e renditur Dimalin të 5-in në rang vendi, ndërsa bashkia Berat ka pasur këtë parametër mesatarisht 7%. Bazuar në këto shifra, këshilltarët argumentuan se shkrirja nuk do të sjellë kapacitete të shtuar investuese për Dimalin.
Në diskutim u theksua se bashkimi me Beratin do të ndikojë negativisht në ekonominë e zonës, në veçanti për fermerët e Dimalit që eksportojnë prej vitesh prodhimet bujqësore dhe të serave në tregjet ndërkombëtare. Këshilltarët thanë se, ndryshe nga sa pretendohet në relacion, shkrirja nuk garanton përfitime financiare apo investime shtesë për Dimalin.
Pas diskutimeve, të gjithë njëzëri arritën në përfundimin se “Në relacion, në kundërshtim me nenin 89, nuk argumentohen as me fake dhe as me studime fizibiliteti avantazhet e kësaj shkrirje”. Duke nisur nga ky vlerësim, 18 nga 21 anëtarët e Këshillit Bashkiak Dimal votuan “Pro” për të shpallur pavlefshmërinë e propozimit të shkrirjes dhe po me votat “Pro” miratuan mosshkrirjen e Dimalit si bashki.
Lajmi raportohet nga Top Channel.

