Gianni Infantino vazhdon të humbasë mbështetjen ndërsa synon të fitojë një mandat tjetër në krye të FIFA-s; Federata Belge e Futbollit (RBFA) konfirmon se nuk do ta mbështesë në zgjedhjet e marsit 2027. Në komunikatën e saj, RBFA shpjegon se vendimi lidhet me mungesën e transparencës së FIFA-s në menaxhimin e çështjes FIFA Forward Enterprise (FFE) dhe me trajtimin e kartonit të kuq të Balogun gjatë Botërorit 2026.
Federata thekson se, në kuadër të këtyre çështjeve, një sërë vendimesh dhe vlerësimesh të rëndësishme nuk janë arsyetuar dhe nuk mbështeten në justifikime adekuate, gjë që ngre shumë pyetje për transparencën dhe qeverisjen e procesit. RBFA thotë se mbetet në kontakt të vazhdueshëm me UEFA-n dhe së bashku po kërkojnë përgjigje të qarta mbi procesin e vendimmarrjes dhe hapat e mëtejshme.
Përfaqësuesit e federatës, përfshirë presidenten Pascale Van Damme, kanë nënvizuar se pas dy muajsh nga ngjarjet, pyetjet e tyre ende nuk kanë marrë përgjigje. Van Damme ka kërkuar sqarime dhe ka theksuar nevojën për transparencë dhe qartësi për të gjitha palët e përfshira. Ajo gjithashtu ka theksuar se RBFA dëshiron të bëjë vlerësime për të identifikuar ku mund të përmirësohen procedurat aktuale, me qëllim që raste të ngjashme në të ardhmen të menaxhohen në mënyrë më të qartë, koherente dhe më efikase.
Si hap konkret, Federata Belge i ka kërkuar FIFA-s që të përfshijë çështjen Balogun në rendin e ditës të mbledhjes së radhës së Këshillit të FIFA-s, e cila është programuar të mbahet më 15 tetor. Përmes këtyre veprimeve RBFA kërkon përgjigje dhe transparencë mbi mënyrën se si janë marrë dhe arsyetuar vendimet rreth FFE dhe incidentit me Balogun, pa mbështetur më tej kandidaturën e Infantos për mandatin e ardhshëm. Top Channel

