Katër persona u vranë në një sulm me armë zjarri mbrëmjen e së dielës, më 16 gusht, në Isla Cristina, provinca e Huelvës. Mes viktimave janë një grua 39-vjeçare e shtatzënë, foshnja 8-muajshe që mbante në bark dhe nëna e saj 62-vjeçare. Viktimë ka mbetur gjithashtu një 16-vjeçar, i cili, sipas hetimeve paraprake, duket se nuk kishte lidhje me konfliktin.
Nga të shtënat u plagosën edhe një 18-vjeçar, i cili ndodhet në spital në gjendje shumë të rëndë, si dhe një burrë tjetër me plagë të lehta. Sipas rindërtimit paraprak të Guardia Civil, ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 në lagjen popullore El Rocio. Dy persona të maskuar, që lëviznin me motor, hapën zjarr ndaj një grupi njerëzish. Pas sulmit autorët i vunë flakën motorit dhe e braktisën në një zonë me pisha pranë kampingut Giralda, para se të largoheshin.
Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së kampingut, ndërsa autoritetet kanë forcuar kontrollet në të gjithë territorin e bashkisë, përfshirë edhe varrezat ku po përcillen viktimat. Zëvendësprefektja e Huelvës përmendi mundësinë e një “hakmarrjeje mes klanesh”, por hetuesit nuk kanë përjashtuar asnjë pistë hetimi.
Sipas Guardia Civil, dy gratë e vrara dyshohet se ishin vjehrra dhe motra e një personi me precedentë penalë, i njohur me pseudonimin “El Baba”. Ky i fundit dyshohet të ketë qenë autor i një sulmi tjetër me armë në shtator 2024, në një lagje pranë Huelvës, ku një person humbi jetën dhe dy të tjerë u plagosën. Hetuesit dyshojnë se ai sulm mund të ketë qenë pikënisja e një përplasjeje të armatosur mes klaneve, e cila ka sjellë viktima të tjera. 18-vjeçari i plagosur rëndë në sulmin e së dielës dyshohet se është nip i “El Babës”.
Që prej vitit 2024 Guardia Civil ka zhvilluar një seri kontrollesh dhe arrestimesh në Isla Cristina ndaj personave të dyshuar si pjesë e klaneve të përfshira në konflikt. Hetimi për sulmin po drejtohet nga autoritetet gjyqësore dhe zhvillohet nën sekret hetimor, ndërsa policia vijon kërkimet për identifikimin dhe arrestimin e autorëve.

