Këtë të enjte pritet të publikohen masat e sigurisë për të arrestuarit nga aksioni i zhvilluar ditën e hënë, ku u zbuluan tre call center të përfshirë në skema mashtrimi me investime online. Në ambientet e zbuluara në kryeqytet, ishin punësuar dhjetëra të rinj, të cilët kryenin thirrje drejt qytetarëve europianë, kryesisht nga Gjermania dhe Austria, për t’i bindur ata të investonin në platforma financiare mashtruese.
Sipas një dosjeje të siguruar nga gazetarja Anila Hoxha, shtetas të ndryshëm të vendeve të Bashkimit Evropian janë mashtruar financiarisht, duke pësuar humbje të konsiderueshme. Autoritetet austriake kanë dhënë indicie se call centerat në Shqipëri kanë kryer mashtrime me shuma të mëdha në Vjenë dhe qytete të tjera në Austri nga 15 qershori 2023 deri më 30 korrik 2024.
Në dosje përshkruhet se, përmes sjelljeve mashtruese, ata kanë nxitur qytetarët e dëmtuar me rrethana të rreme për të investuar paratë e tyre. Autorët kanë përfituar në mënyrë të padrejtë, pasi të dëmtuarit kanë transferuar miliona euro, të cilat mendohet të kalojnë 30 milion euro në total. Dëmtuarit zakonisht hyjnë në këto platforma përmes reklamave të rreme të personazheve të njohur, ndërsa investimet e supozuara nuk realizohen, duke u drejtuar në një rrjet të ndërlikuar pastrimi parash.
Telefonuesit “këshilltarë financiarë” kanë përdorur programin any desk për të kryer komandim nga distanca në kompjuterat e të dëmtuarve. Shumica e adresave IP të autorëve janë të maskuara me VPN ose Proxy, por partnerët kanë arritur të identifikojnë disa IP shqiptare, të cilat janë vënë në dispozicion.















