Tregjet ndërkombëtare reaguan menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes kornizë mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit për t’i dhënë fund konfliktit në Lindjen e Mesme. Zhvillimi u prit pozitivisht nga investitorët; çmimet e naftës ranë dhe bursat kryesore botërore u ngjitën.
Në tregtimin e hershëm të së enjtes, nafta Brent ra me 1.12%, në 78.66 dollarë për fuçi, ndërsa nafta amerikane WTI humbi 1.28% dhe u tregtua me 75.81 dollarë për fuçi. Analistët e lidhin këtë rënie me uljen e rrezikut gjeopolitik në rajon dhe pritshmëritë për rikthimin gradual të eksporteve iraniane të naftës në tregjet ndërkombëtare. Optimzimi u reflektua edhe në tregjet financiare: indeksi japonez Nikkei 225 u rrit me rreth 5%, duke arritur nivele rekord, ndërsa Kospi i Koresë së Jugut fitoi 5.2%. Rritje shënuan edhe indekset e tjera aziatike, pasi investitorët vlerësuan se marrëveshja do të reduktojë rrezikun e ndërprerjeve në furnizimin global me energji dhe në zinxhirët ndërkombëtarë të tregtisë.
Një nga elementët kryesorë të marrëveshjes është rihapja e Ngushticës së Hormuzit. Kryeministri pakistanez Shahbaz Sharif deklaroi se ngushtica do të hapet plotësisht pa vonesë, ndërsa SHBA do të nisë menjëherë heqjen e bllokadës detare ndaj porteve iraniane. Presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi se ka nënshkruar marrëveshjen gjatë një darke zyrtare në Pallatin e Versajës, pas samitit të G7, duke thënë para gazetarëve: “U nënshkrua. Sapo e firmosa në Versajë”. Edhe Teherani konfirmoi zyrtarisht finalizimin e dokumentit; zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghai, bëri të ditur se memorandumi është nënshkruar nga presidentët e të dy vendeve dhe se tashmë mund të nisë faza e zbatimit të tij.
Marrëveshja përfshin 14 pika dhe parashikon që Irani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore, si dhe krijimin e një fondi prej 300 miliardë dollarësh për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Dokumenti parashikon një periudhë 60-ditore negociatash për finalizimin e kushteve përfundimtare, lehtësimin gradual të sanksioneve dhe rifillimin e lundrimit normal në Ngushticën e Hormuzit. Megjithatë, mbeten çështje të hapura, përfshirë negociatat teknike mbi programin bërthamor iranian, heqjen e kufizimeve mbi eksportet e naftës dhe mënyrën e administrimit të Ngushticës pas periudhës kalimtare. Tregjet globale e kanë interpretuar marrëveshjen si një sinjal stabiliteti, duke ulur frikën për një krizë të re energjetike dhe përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve në rajon.

