Barcelona vazhdon të punojë në heshtje për të siguruar shërbimet e Julián Álvarez, i konsideruar objektivi kryesor për të zëvendësuar Robert Lewandowskin në të ardhmen. Sipas raportimeve nga Spanja, sulmuesi argjentinas mbetet i përfshirë në operacionin e mundshëm dhe e konsideron klubin katalanas destinacionin e preferuar. Burime pranë Barcelonës thonë se Álvarez i ka komunikuar Atletico Madrid dëshirën për t’u larguar gjatë kësaj vere, duke vendosur klubin blaugrana në krye të preferencave të tij.
Drejtuesit e Atletico Madridit, përkundër kësaj, po përpiqen ta orientojnë lojtarin drejt klubeve të tjera evropiane me qëllim që të shmangin transferimin te një rival direkt në La Liga, veçanërisht te Paris Saint-Germain ose Arsenal. Sipas të njëjtave burime, Atletico dhe PSG kishin arritur më herët një marrëveshje për transferimin, por Álvarez e refuzoi kategorikisht lëvizjen. Një situatë e ngjashme thuhet se ka ndodhur edhe me Arsenalin, ku pati diskutime për një operacion që përfshinte pagesë financiare dhe kartonin e Viktor Gyökeres, por argjentinasi nuk pranoi të largohej drejt Anglisë.
Qëndresa e lojtarit ndaj ofertave të PSG-së dhe Arsenalit, sipas burimeve, rrit shanset që Barcelona të realizojë transferimin gjatë merkatos verore. Megjithatë, klubet e përfshira pranojnë se negociatat nuk do të jenë të lehta. Barcelona vlerëson se një lëvizje vendimtare mund të ndodhë vetëm nëse vetë lojtari shpreh publikisht dëshirën për t’u larguar, ashtu siç bëri kur u transferua nga Manchester City te Atletico Madrid në vitin 2024.
Aktualisht, Barcelona nuk po bën një ofertë të dytë, duke u mbështetur te fakti se merkatoja vazhdon dhe angazhimi i Álvarez me kombëtaren argjentinase në një turne ndërkombëtar ka ngadalësuar zhvillimet. Nga ana tjetër, presidenti i Atletico, Enrique Cerezo, reagoi ndaj spekulimeve duke theksuar se “Julián është lojtar i Atletico Madridit. Kushdo që e dëshiron, le të vijë, të shohë kontratën dhe më pas të vendosë nëse mund ta transferojë apo jo”, duke lënë të kuptohet se klubi nuk ka ndërmend ta lehtësojë largimin e tij. (Top Channel)

